Lidhje

Sulm mbi EULEX-in në veri të Kosovës


Pjesëtarë të Misionit të BE-së për sundimin e ligjit janë sulmuar në dy raste në veriun e Kosovës të banuar me shumicë serbe

Policia e Kosovës tha se grupe personash të panjohur, sulmuan gjatë natës një makinë të Misionit të EULEX-it në veriun e Mitrovicës të banuar me shumicë serbe.

Sipas policisë, zyrtarë të EULEX-it ishin duke udhëtuar në zonë kur një grup i personave të panjohur, të maskuar, kanë hedhur gurë, mjete të forta dhe shishe me benzinë mbi makinën e tyre. Nuk pati të plagosur, ndërsa makina ka pësuar dëmtime, thuhet në njoftimin e policisë sipas së cilës nuk është raportuar për identifikim dhe arrestim të personave të dyshuar të përfshirë në këtë sulm.

Sulm ndaj EULEX-it në Veri
please wait

No media source currently available

0:00 0:02:32 0:00

Ky ishte sulmi i dytë në 24 orët e fundit ndaj pjesëtarëve të EULEX-it në veri.

Mbrëmë, dy pjesëtarë të këtij misioni pësuan plagë nga gurët e grupeve të qytetarëve serbë të cilët bllokuan një nga rrugët kryesore në veri në shenjë kundërshtimi ndaj arrestimit të dy pjesëtarë të komunitetit serb në zonë. Një zëdhënëse e misionit tha se arrestimi ka ndodhur në komunën e Zveçanit dhe dy të dyshuarit janë duke u hetuar lidhur me një vrasje në tentativë në vitin 2012 në veri të Mitrovicës. Sipas njoftimeve dyshimet kanë të bëjnë me sulmin ndaj zëvendësshefit të Zyrës administrative të Kosovës në veriun e Mitrovicës, Dushan Milosavleviç i cili ishte plagosur në dhjetor të vitit të kaluar.

Njëri nga të arrestuarit është Zharko Veselinoviç, vëllai i Zvonko Veselinoviçit, i njohur si një nga organizatorët e vendosjes së barrikadave në pjesën veriore të Kosovës dhe për lidhjet e tij të dyshimta afariste.

Edhe sot protestuesit serb po mbajnë të bllokuar një nga rrugët kryesore në zonë dukë kërkuar lirimin e të arrestuarve.

Autoritetet serbe ndërkaq u bënë thirrje qytetarëve serbë në veri të shmangin çdo veprim të dhunshëm, ndërsa kritikuan EULEX-in për siç thuhet, urdhër arreste të fshehta kundër serbëve, një pohim i hedhur poshtë nga zyrtarët evropian.

Shefi i zyrës serbe për Kosovën, Aleksandër Vulin u bëri thirrje serbë për qetësi duke nënvizuar se sic ka thënë ai. Prishtina ka dëshirë të madhe të mos zhvillohen zgjedhjet në veri.

Mbajtja e zgjedhjeve për pushtetin komunal të Kosovës edhe në atë zonë është pjesë e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë e negociuar me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

Zbatimi i marrëveshjes që u siguron komunave veriore një shkallë të gjerë të autonomisë, është kusht për përparimin e Kosovës dhe Serbisë drejt integrimeve evropiane.
XS
SM
MD
LG