Lidhje

EULEX-i kërkon të ruhet besimi në misionin e tij


Shefi i EULEX-it Gabriele Meucci zotohet se misioni i tij do të çojë deri në fund procesin e ndriçimit të pohimeve për korrupsion në radhët e tij.

Shefi i misionit të Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit, Gabriele Meucci, u bëri thirrje të mërkurën qytetarëve të Kosovës që të ruajnë besimin në punën e këtij misioni. Në një opinion dërguar medieve në Kosovë ai tha se misioni i tij dhe Bashkimi Evropian i trajtojnë seriozisht pohimet për përfshirje të pjesëtarëve të EULEX-it në korrupsion.

Dëshmi për këtë sipas tij është edhe fakti që përfaqësuesja e lartë për politikë të jashtme e BE-së, Federica Mogheirni më 10 nëntor francezin Jean Paul Jacqué, si ekspert të pavarur për të shqyrtuar zbatimin e mandatit të Misionit të BE-së për sundimin e ligjit me përqendrim në dyshimet e hedhura për korrupsion në radhët e këtij misioni.

Vendimi pasoi reagimet që nxitën dyshimet e publikuara në një seri shkrimesh të së përditshmes Koha Ditore, se zyrtarë të EULEX-it mund të kenë marrë para në këmbim të lirimit të disa të akuzuarve për vepra penale. Zyrtarë të EULEX-it besojnë se dokumentet kanë rrjedhur nga prokurorja britanike e këtij misioni Maria Bamieh, e cila është pezulluar nga puna dhe ndaj saj thuhet se ka filluar një proces i hetimeve administrative

Në opinionin e zotit Meucci thuhet se EULEX-i zbaton politikë të zero tolerancës ndaj korrupsionit.

Unë besoj që populli i Kosovës meriton t’i dijë veprimet të cilat i ka ndërmarrë EULEX-i tashmë në lidhje me pohimet e fundit kundër disa prej pjesëtarëve të tij. Nuk i kemi injoruar pohimet. Pohimet e publikuara në media janë shqyrtuar dhe janë duke u shqyrtuar plotësisht”.

Ai thekson se shumë muaj më parë është formuar një grup punues për kryerjen e hetimeve dhe për këtë shkak BE-ja është pajtuar që pjesërisht të heqë imunitetin e një personi në mënyrë që ta mundësojë përparimin e hetimeve.

Ai thotë se hetimet janë komplekse dhe të vështira dhe duhet kohë që të hetohen të gjitha pistat. Po ashtu hetimet nuk zhvillohen në publik dhe një prej parimeve kryesore në procedurat e tilla është parimi i mirëbesimit i cili mbron jo vetëm dëshmitarët e mundshëm dhe personin i cili i ka bërë pohimet, por i mbron po ashtu edhe ata që cilësohen të pafajshëm deri sa të vërtetohet ndryshe, reputacioni i të cilëve mund të dëmtohet në mënyrë të konsiderueshme nga pohimet e tilla.

Të jeni të sigurt që kur të përfundojnë hetimet, EULEX-i nuk do t’u bëjë bisht detyrimeve të tij për të ndjekur çfarëdo veprimesh gjyqësore, të cilat përcaktohen nga hetimet si të përshtatshme dhe të domosdoshme. Të gjitha gjërat që i presim nga të tjerët, i zbatojmë edhe për vete. Nëse, në të ardhmen, këto pohime vërtetohen si të pabazuara, pres që mediet të raportojnë për këtë, në mënyrën e njëjtë siç kanë vepruar gjatë raportimit për këto pohime”.

Zoti Meucci thotë se sikurse misioni, ashtu edhe mediet përpiqen t’i mbajnë përgjegjës ata që e rrezikojnë Kosovën përmes krimit dhe korrupsionit. “Jemi në anën e njëjtë” thotë ai.

Bashkimi Evropian është shprehur i shqetësuar me zhvillimet e fundit dhe mundësinë që ato të dëmtojnë imazhin dhe besimin e EULEX-it, i cili u vendos në Kosovë pas shpalljes së pavarësisë së saj nga Serbia në shkurt të vitit 2008.

Misioni ruan ende fuqi ekzekutive dhe trajton rastet e krimeve te luftës por edhe krimin e organizuar dhe korrupsionin në rastet që vlerësohen me të ndjeshme për t’u trajtuar nga prokurorët dhe gjykatësit vendas.

XS
SM
MD
LG