Lidhje

PE kërkon formimin e shpejtë të qeverisë së Kosovës


Parlamenti Evropian - arkiv
Parlamenti Evropian - arkiv

Parlamenti Evropian u bëri thirrje udhëheqësve të Kosovës që sa më shpejt të formojnë qeverinë pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 11 qershorit.

Thirrjet ishin pjesë e raportit të miratuar pas një debati të deputetëve evropian, me 474 vota për, 134 kundër dhe 64 abstenime.

Në raportin e hartuar nga raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Ulrike Lunaçek, u bëhet thirrje edhe një herë pesë vendeve anëtare të Bashkimit Evropian të cilat nuk e kanë njohur Kosovën që ta bëjnë një gjë të tillë.

“Para se gjithash ky raport u bën thirrje politikanëve dhe partive politike që shpejtë të formojnë qeverinë në një frymë evropiane dhe të vazhdojnë rrugën drejt Bashkimit Evropian, si dhe të lëvizin drejt liberalizimit të vizave që e meritojnë aq shumë qytetarët e Kosovës”, tha zonja Lunaçek.

Në raport po ashtu bëhet thirrje për vazhdimin e bisedimeve me Beogradin, për zbatimin e dy kritereve të mbetura për liberalizimin e vizave, për luftë kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit dhe për vazhdimin e reformave në drejtësi. Thirrja për normalizim të raporteve i është dërguar edhe Serbisë në një Rezolutë tjetër që u miratua po sot.

Miratimit të këtij raporti i ka paraprirë një debat ku shumë deputetë kanë tërhequr vërejtjen edhe për përzierjen e Serbisë në çështje e Kosovës, sidomos përmes serbëve të Kosovës. Ata inkurajuan përfaqësuesit e serbëve të Kosovës që të veprojnë në mënyrë të pavarur nga Beogradi dhe të integrohen në institucionet e Kosovës.

Disa prej euro deputetëve kanë përsëritur shqetësimet për rastet e ekstremizmit dhe radikalizmit fetar në Kosovë, por shumë prej tyre kanë shprehur mirënjohje edhe për sukseset e Kosovës në luftë kundër terrorizmit.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG