Lidhje

Ndahet nga jeta ish kryeministri i Kosovës, Bajram Rexhepi


Ish kryeministri i Kosovës, Bajram Rexhepi ndërroi jetë në Turqi ku po trajtohej pas një goditjeje në tru që nga muaji prill i këtij viti.

Ai ishte trajtuar fillimisht në Prishtinë për t'u transferuar më pas në Turqi.

I lindur në Mitrovicë më 3 qershor të vitit 1954, zoti Rexhepi për një kohë të gjatë punoi si kirurg në atë qytet dhe në këtë cilësi i ishte bashkuar Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Në mars të vitit 2002 ai u bë kryeministri i parë i Kosovës pas zgjedhjeve të para të përgjithshme të vitit 2001 dhe drejtoi qeverinë e koalicionit të gjerë deri në vitin 2004.

Për një kohë ai ishte kryetar i komunës së Mitrovicës dhe më pas ministër i Brendshëm në qeverinë e Kosovës.

Pas zgjedhjeve parlamentare të vitit 2014 ai u tërhoq nga politika për të vazhduar profesionin e kirurgut në Mitrovicë.

Udhëheqës institucionesh e partish politike ngushëlluan familjen e ish kryeministrit Rexhepi, duke e cilësuar atë si humbje të madhe për Kosovën.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, thekson në një telegram se me guximin, maturinë dhe durimin e tij, Rexhepi ishte shembull për të gjithë.

Kryeministri në detyrë, Isa Mustafa, tha se ish-kryeministri Rexhepi ishte një personalitet dhe veprimtar i shquar i cili dha kontribut të veçantë para, gjatë dhe pas luftës çlirimtare.

Edhe udhëheqës të institucioneve tjera dhe partive politike shprehën pikëllimin për vdekjen e ish kryeministrit Rexhepi. Ngushëllime shprehën edhe ambasadori amerikanë në Prishtinë, Greg Delawie dhe ai britanik Ruairi O'Conell.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG