Lidhje

Haradinaj: Gjermania mbështet anëtarësimin e Kosovës në Interpol


Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, tha të premten se ka marrë mbështetjen e plotë të Gjermanisë për anëtarësimin e Kosovës në organizatën botërore të policisë, Interpol.

Në një postim në rrjetin social facebook ai tha se “këtë e konfirmon letra nga kancelarja Angela Merkel, të cilën e pranova sot përmes ambasadorit Christian Heldt. Mbështetja e fuqishme e Gjermanisë mike për anëtarësimin e Kosovës në Interpol vjen në një moment kyç për konsolidimin ndërkombëtar të vendit tonë. Kancelarja Merkel vë në pah se ky akt do ta fuqizojë integrimin e Republikës së Kosovës në bashkësinë ndërkombëtare, dhe është në shërbim të përmirësimit të bashkëpunimit në fushën e sigurisë dhe hetimit të krimit transnacional. Thellësisht mirënjohës Kancelares Merkel dhe shtetit gjerman për mbështetjen e vazhdueshme” shkroi kryeministri Haradinaj.

Kosova synon të sigurojë votat e mjaftueshme për t’u bërë pjesë e Interpolit në takimin e kësaj organizate, që mbahet me 20 nëntor në Dubai.

Serbia e cila kundërshton pavarësinë e Kosovës, tha se po punon për të penguar këtë anëtarësim dhe sipas saj, hyrja e Kosovës në Interpol "do të paraqiste dhunë ligjore sepse asnjë shtet, nuk mund të bëhet anëtar nëse nuk është anëtar i Kombeve të Bashkuara ose vend vëzhgues”.

Në Prishtinë thonë se anëtarësimi në Interpol do t’i ndihmonte forcimit të sigurisë, të luftës kundër krimit të organizuar dhe terrorizmit ndërkombëtar.

Një vit më parë Kosova kishte dorë nga kërkesa për pranim në këtë organizatë, meqë nuk kishte siguruar mbështetjen e mjaftueshme.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG