Lidhje

Gabriel: Kosova të përmirësojë marrëdhëniet me Serbinë dhe të vendosë kufirin me Malin e Zi


Ministri i Jashtëm gjerman, Sigmar Gabriel, tha të enjten se Kosova duhet të përmirësojë marrëdhëniet me Serbinë për të përparuar drejt integrimit evropian dhe bëri thirrje për ratifikimin e marrëveshjes për shënimin e kufirit me Malin e Zi.

Ministri i jashtëm gjerman qëndroi në Prishtinë pas vizitës së të mërkurës në Beograd ku tha se vendi i tij mbështetë Serbinë në rrugën e saj drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, por Serbia duhet të punojë me reformat dhe normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën si një parakusht thelbësorë.

Ministri Gabriel, tha të enjten se Bashkimi Evropian mund të bëjë me shumë për mbështetur Kosovën dhe vendet tjera të Ballkanit perëndimorë në përmbushjen e kritereve për anëtarësim.

"Marrëdhëniet e mira dhe të pranueshme ndërmjet Kosovës dhe Serbisë janë një kusht për anëtarësim në Bashkimin Evropian", tha ministri gjerman, sipas të cilit, të dyja palët e kuptojnë se nuk ka alternativë tjetër përveç komunikimit ndërmjet tyre.

Serbia vazhdon të kundërshtojë pavarësinë e Kosovës por është përfshirë në një proces bisedimesh për normalizimin e marrëdhënieve në shkëmbim të afrimit me strukturat evropiane.

Muajt e parë të vitit 2017, shënuan një valë tensionesh ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Ministri i jashtëm gjerman tha se frika nga rilindja e konflikteve të vjetra në Ballkanin Perëndimor është ende e pranishme, por sipas tij vendet e rajonit duhet të tejkalojnë ndarjet dhe të punojnë për ndërtimin e mirëbesimit.

Ai tërhoqi vëmendjen edhe tek çështja e lëvizjes së lirë të qytetarëve të Kosovës që janë të vetmit në rajon të përjashtuar nga regjimi i udhëtimit pa viza. Ai tha se Kosova ka shënuar përparim në luftë kundër korrupsionit e krimit të organizuar dhe tash është koha të përmbushet edhe kushti i fundit që ka të bëjë me përmbylljen e procesit të shënimit të kufirit me Malin e Zi.

“Porosia ime për ju dhe deputetët e parlamentit është që të të rregulloni marrëdhëniet me Malin e Zi, që nuk janë problematike. I bëj thirrje parlamentit të Kosovës ta ratifikojë marrëveshjen për kufirin", tha ministri gjerman.

Çështja e kufirit çoi në krizë të thellë politike në Kosovë për shkak të mospajtimeve rreth marrëveshjes së nënshkruar në gusht të vitit 2015, e cila sipas opozitës dëmton Kosovën për rreth 8 mijë hektarë tokë.

Ministri Gabriel, i cili qëndroi të mërkurën në Serbi, të hënën do të qëndrojë në Shqipëri, në vizitën e tij të parë në rajonin që po vazhdon të rimëkëmbet ende nga pasojat e zhvillimeve të viteve të 90-ta ndërsa aspiron integrimin në Bashkimin Evropian.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG