Lidhje

Gabriel: Serbia duhet të pranojë pavarësinë e Kosovës


Ministri i punëve të jashtme të Gjermanisë, Sigmar Gabriel, tha të mërkurën mbrëma në Prishtinë se Serbia duhet të pranojë pavarësinë e Kosovës në mënyrë që të anëtarësohet në Bashkimin Evropian.

Ai i bëri këto komente pas takimit me kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj, në fillim të vizitës dyditëshe në Kosovë. Ministri Gabriel qëndroi në Prishtinë pas vizitës në Beograd ku siç tha ka transmetuar qëndrimet e vendit të tij për proceset integruese për Ballkanin Perëndimor.

"Sot në Beograd e thashë po ashtu që nëse Serbia dëshiron të ecë drejt Bashkimit Evropian, sundimi i ligjit është kusht parësor, por, natyrisht edhe pranimi i pavarësisë së Kosovës. Ku është kushti qendror për të ecur drejt Evropës", tha ministri gjerman.

Ai tha ae vendi i tij do të ndihmojë Kosovën në përpjekjet për të siguruar njohjen e pesë vendeve anëtare të Bashkimit Evropian që ende nuk e kanë bërë një gjë të tillë.

Kosova shpalli pavarësinë e saj dhjetë vjet më parë dhe është njohur nga 115 vende të botës. Pavarësia e saj kundërshtohet nga Serbia e cila është përfshirë në një proces bisedimesh për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën si kusht për integrimin në strukturat evropiane.

Zoti Gabriel tha se Gjermania përkrahë vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor në rrugën e tyre të integrimeve, ndërsa nënvizoi se pa normalizim të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës e Serbisë nuk do të ketë integrim në Bashkim Evropian.

“Duhet të angazhohemi që të ketë edhe një marrëveshje ndërmjet Kosovës e Serbisë për të zgjidhur këtë çështje njëherë e përgjithmonë sepse as Kosova e as Serbia nuk do të mund të anëtarësohen në Bashkim Evropian pa i zgjidhur këto çështje dhe kjo do të jetë një zgjidhje ku të dyja palët do të përfitojnë. E di që ka kundërshtime të shumta në të dyja anët mirëpo në fund të gjitha palët do të përfitojnë”, tha ministri Gabriel.

Kryeministri Ramush Haradinaj tha se Kosova është e gatshme për një marrëveshje përfundimtare me Serbinë.

“Ne konstatojmë se një zgjidhje finale në mes të Kosovës e Serbisë është e nevojshme dhe duke mos folur për kohën kur do të ndodh, ne mirëpresim që të kemi një zgjidhje finale në mes të Kosovës e Serbisë dhe jemi të vendosur si Kosovë për perspektivën evropiane”, tha kryeministri Haradinaj.

Ministri Gabriel u bëri thirrje institucioneve të Kosovës që të bëjnë me shumë në zbatimin e sundimit të ligjit dhe në fushën e reformave ndërsa bëri thirrje që të përmbushen detyrimet ndërkombëtare dhe zgjidhen çështjet e hapura me fqinjët, përfshirë edhe marrëveshjen për shënimin e kufirit me Malin e Zi në mënyrë që qytetarët të udhëtojnë pa viza.

“Jam i lumtur që ka vullnet të zgjidhet çështja e shënimit të kufirit me Malin e Zi dhe ne e mbështesim këtë në mënyrë që ky kriter të plotësohet dhe të liberalizohen vizat për qytetarët e Kosovës. Shpresojmë që kjo të ndodh së shpejti dhe marrëveshja të ratifikohet dhe u gëzova që ka hapa të cilat janë diskutuar për të ardhur deri te një zgjidhje e shpejtë. Unë e kuptoj që vendi juaj dëshiron të marrë liberalizimin e vizave dhe këtë gjë e duam edhe ne mirëpo duhet të që kriteri të përmbushet”, tha ai.

Mos ratifikimi i marrëveshjes për shënimin e kufirit me Malin e Zi që është kusht për liberalizimin e vizave për Kosovën dhe së fundmi është përmendur edhe në strategjinë e zgjerimit të Bashkimit Evropian, e cila Kosovën e përmend në kuadër të problemeve të pazgjidhura përfshirë edhe arritjen e një marrëveshjeje për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG