Lidhje

Bie qeveria e Kosovës - shpërndahet parlamenti


Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, nxori dekretin për shpërndarjen e parlamentit të Kosovës, pak orë pasi që parlamenti me 78 vota për, 34 kundër dhe tri vota të paanshme, i mori besimin qeverisë së kryeministrit Isa Mustafa. Votimi i mocionit u bë i mundur me votat e Partisë Demokratike të Kadri Veselit e cila votoi për rrëzimin e koalicionit bashkë qeverisës.

Bie qeveria e Kosovës - shpërndahet parlamenti
please wait

No media source currently available

0:00 0:04:26 0:00

Debati për mocionin e mosbesimit u përcoll me akuza e kundër akuza ndërmjet partnerëve të deritashëm të koalicionit qeverisës.

Mocioni i hartuar nga Nisma për Kosovën, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe lëvizja Vetëvendosje i nënshkruar nga 42 deputetë, që u mbështet nga Partia Demokratike në pushtet, nga përfaqësuesit e pakicave kombëtare dhe deputetë të pavarur, u kundërshtua nga Lidhja Demokratike e Kosovës.

Partitë opozitare thanë se Kosova tashmë ka humbur tri vite të saj nga kjo qeveri.

Zgjedhjet e parakohshme, duhet të mbahen brenda 45 ditësh nga shpërndarja e parlamentit.

Shpërbërja e qeverisë së Kosovës pasoi pamundësinë e koalicionit qeverisës për të çuar përpara marrëveshjen për shënimin e kufirit me Malin e Zi, çështje kjo që ka nxitur mospajtime të thella në Kosovë që çuan në krizë politike. Skena të dhunshme në parlament dhe jashtë tij kanë përcjellë debatet rreth kësaj marrëveshjeje e cila në shtator të vitit të kaluar u tërhoq nga qeveria e Kosovës për shkak të mungesë së votave të mjaftueshme.

Koalicioni ndërmjet LDK-së dhe PDK-së ishte arritur në muajin dhjetor të vitit 2014, gjysmë viti pas zgjedhjeve parlamentare të qershorit të atij viti.

SHBA dhe BE kërkojnë të mos mbeten nën hije sfidat e Kosovës

Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Prishtinë tha se do të vazhdojë të jetë e palëkundur në mbështetjen për Kosovën. Pas votimit të mocionit, në një komunikatë për opinion, ambasada amerikane tha se “parlamenti e tha fjalën e vet. Përderisa vazhdon procesi i tranzicionit dhe vendi lëviz në drejtim të zgjedhjeve të parakohshme, ftojmë të gjithë zyrtarët e mbetur në qeveri që të zotohen përsëri në shërbim të punëdhënësve të tyre, gjegjësisht të gjithë qytetarëve të Kosovës pa dallim. Ne vazhdojmë të jemi të palëkundur në mbështetjen tonë për Kosovën, qytetarët e saj dhe rrugëtimit të saj drejt integrimit të plotë Euro-Atlantik", thuhet në komunikatë.

Komisionari për politika të fqinjësisë dhe zgjerimit të BE-së, Johannes Hahn, shprehu keqardhjen për votën e mosbesimit në Parlamentin e Kosovës.

"Udhëheqësit politikë nuk duhet të harrojnë sfidat e mëdha më të cilat përballet Kosova. Sundimi i ligjit, ekonomia, dialogu dhe liberalizimi i vizave duhet të vazhdojnë për të mirën e qytetarëve", shkroi ai në rrjetin social twitter.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG