Lidhje

Kosovë: Qeveria me projektligj për faljen e borxheve publike


Sipas projektligjit do të falen rreth 680 milion euro detyrime të pashlyera ndaj institucioneve shtetërore e ndërmarrjeve publike të periudhës para janarit të vitit 2009.

Qeveria e Kosovës, miratoi të mërkurën projektligjin nëpërmjet të cilit mundësohet falja e borxheve të personave fizik dhe juridik, ndaj institucioneve shtetërore dhe ndaj ndërmarrjeve publike në Kosovë, që nga përfundimi i luftës e deri më 31 dhjetor të vitit 2008.

Projektligji i paraqitur të mërkurën përcakton kriteret dhe procedurat për këtë çështje. Ministri i Financave Avdullah Hoti, tha në mbledhjen e qeverisë së Kosovës se “sipas këtij ligji, do të falet çdo shumë e papaguar e borxhit, përfshirë ndëshkimet, gjobat, interesin si dhe çdo detyrim tjetër që rrjedh nga mos pagesa me kohë”.

Ministri Hoti tha se në bazë të vlerësimeve të deritashme “shuma e borxhit që do të falet vlerësohet të jetë rreth 680 milion euro nga të cilat rreth 148 milion borxhe ndaj Administratës Tatimore të Kosovës, rreth 6 milion euro borxhe ndaj doganave, rreth 57 milion të tatimit në pronë dhe rreth 465 milion euro borxhe ndaj ndërmarrjeve publike”.

Ministri Hoti tha se “nga ky ligj kryesisht do të përfitojnë personat fizik të cilët kanë paqëndrueshmëri në mirëqenën e tyre sociale. Kështu që, kjo do t’i shërbejë përparësive të qeverisë në fushën e mirëqenies sociale. Në anën tjetër, falja e borxheve sipas këtij ligji do të krijojë një momentum të ri që do t’i shërbejë për ngritjen e disiplinës së përgjithshme të personave fizik dhe juridik në kundrejt detyrimeve të tyre publike”.

Për të përfituar nga ky projekt personat fizik dhe juridik duhet të përmbushin të gjitha detyrimet që përfshijnë periudhën nga 1 janari i vitit 2009 deri me 31 dhjetor të vitit 2014. Po ashtu këto detyrime do të mund të paguhen me këste në bazë të marrëveshjeve me institucionet dhe duhet të përmbushen brenda një afati dy vjeçar.

Në shkurt të këtij viti qeveria kishte themeluar një komision për shqyrtimin e mundësisë për faljen e borxheve, që ishte pjesë e debateve për përmirësimin e gjendjes ekonomike dhe zbutjen e shkaqeve që çuan në një valë migrimi në fund të vitit të kaluar dhe në fillim të këtij viti. Lëvizjet e tilla për shumëkënd ishin shenjë e pakënaqësive në rritje me udhëheqjen politike të shtetit më të ri e më të varfër të Evropës.

Deri tash ishte paqartë se cila ishte shuma e detyrimeve të pashlyera të qytetarëve në një vend ku me vite ka pasur ankesa për mos pagese të faturave të energjisë, shërbimeve të ujësjellësit e mbledhjes së mbeturinave si dhe doganave e tatimit në pronë.

XS
SM
MD
LG