Lidhje

HRW: Viti 2020 në Kosovë shënoi përparim në drejtësinë për krimet e luftës


Organizata ndërkombëtare me seli në New York, Human Rights Watch, tha të mërkurën se Kosova ka shënuar përparim në fushën e drejtësisë për krimet e luftës, ndërsa ka shënuar ngecje në fushat si liria e medies, të drejtat e grave dhe të komuniteteve pakicë.

Përfundimet janë pjesë e raportit prej 386 faqesh të kësaj organizate mbi gjendjen e të drejtave të njeriut në rreth 100 shtete të botës.

Në kapitullin për Kosovën, raporti vlerëson se aktakuzat e para nga Gjykata e Posaçme për krime lufte me seli në Hagë, shënuan përparimin e shumëpritur lidhur me përmbushjen e drejtësisë për shkeljet e rënda të të drejtave të njeriut, ligjit humanitar dhe ligjeve të luftës, gjatë luftës së vitit 1999 në Kosovë.

“Në nëntor, ish presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ishte midis katër ish-anëtarëve të vjetër të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të paditur për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Thaçi dha dorëheqjen dhe të katër u transferuan në qendrën e paraburgimit në Hagë ku patën paraqitjet e tyre të para në gjykatë, duke u deklaruar të pafajshëm. Prokuroria akuzoi dy burra nga Organizata e Veteranëve të Luftës për rrjedhjen e emrave të dëshmitarëve. Ndërkaq në shtator një komandant tjetër i UÇK-së, Salih Mustafa, u akuzua dhe u arrestua për krime lufte. Një gjykatë e Prizrenit në qershor dënoi me 22 vjet burgim një ish-oficer rezervë të policisë jugosllave për krime kundër shqiptarëve në fshatin Krushë, në mars të vitit 1999”, thuhet në raport.

Sipas raportit, gazetarët në Kosovë vazhdojnë të jenë shënjestra të frikësimit, kërcënimeve në rrjetet sociale dhe sulmeve fizike, ndërsa hetimet dhe ndjekjet penale për këto vepra janë të ngadalshme.

Në raport thuhet se “ndërmjet janarit dhe shtatorit të vitit 2020, Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka regjistruar 18 raste të kërcënimeve dhe dhunës ndaj gazetarëve dhe medieve, duke përfshirë pesë sulme fizike dhe 10 kërcënime”.

Sa i përket të drejtave të grave, raporti i organizatës Human Rights Watch, vë në pah se dhuna në familje mbetet një problem i cili nuk ka përgjigjen e duhur të policisë, ka pak ndjekje penale dhe dështim të vazhdueshëm nga gjykatësit për të lëshuar urdhra ndalimi ndaj partnerëve abuzivë.

“Ndërkohë një mekanizëm i ngritur për të ndihmuar në sigurimin e kompensimit financiar për rreth 20 mijë të mbijetuar të përdhunimeve gjatë luftës, vazhdon të ketë shtrirje të kufizuar”, thuhet në raport, në të cilin theksohet se “midis shkurtit të vitit 2018 dhe qershorit të vitit 2020, rreth 1 mijë e 239 të mbijetuar kanë kërkuar kompensim financiar, ndërsa janë miratuar 800 kërkesa”.

Të drejtat e komuniteteve pakicë në Kosovë mbesin të cunguara sipas të dhënave të këtij raporti. “Këto komunitete përballen me shkallë të lartë të papunësisë, strehim të dobët, diskriminim, posaçërisht te gratë”.

Raporti thekson se Kombet e Bashkuara ende nuk kanë kërkuar falje dhe nuk kanë kompensuar viktimat e helmimit, pjesëtarë të këtyre komuniteteve, që pas luftës së viteve 1998-1999 janë detyruar të jetojnë në disa kampe në veri të Kosovës, të udhëhequra nga Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë.

Ky raport vlerëson se edhe gjendja e komunitetit LGBTI në Kosovë vazhdon të jetë shqetësuese “me komente homofobike dhe gjuhë të urrejtjes kundër njerëzve të këtij komunitetit, nga politikanë të profilit të lartë, posaçërisht në rrjete sociale”.

Raporti për vitin 2020 është i 31-ti me radhë dhe përfshin gjendjen e të drejtave të njeriut në periudhën nga fundi i vitit 2019 deri nga fundi i vitit 2020, në rreth 100 vende të botës.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG