Lidhje

Shpërthim në veri të Kosovës


Një shpërthim ka ndodhur në dyert e stacionit të policisë në komunën veriore të Leposaviçit të banuar me shumicë serbe

Në Kosovë, policia tha se një mjet shpërthyes është hedhur në dyert e stacionit të policisë në Leposaviç, një nga komunat veriore të banuara me shumicë serbe.

Policia tha se mjeti është hedhur nga një makinë në lëvizje dhe nga persona të panjohur. Shpërthimi kaloi pa pasoja në njerëz por, me dëme materiale. Aktualisht autoritetet nuk dinë më shumë për motivet apo autorët e mundshëm të shpërthimit.

Që nga fillimi i këtij viti, më shumë se njëzet shpërthime kanë ndodhur në veriun e Kosovës të banuar me shumicë serbe, ku nuk njihen dhe nuk pranohen institucionet e Prishtinës.

Situata në zonë dhe rrugët e administrimit të saj, do të jenë temë e raundit të sotëm, të shtatit me radhë të bisedimeve ndërmjet kryeministrave të Kosovës dhe Serbisë, Hashim Thaçi e Ivica Daçiç.

Prishtina thotë se pajtohet me krijimin e një asociacioni të komunave me shumicë serbe, por hedh poshtë çdo mundësi që ai të ketë fuqi ekzekutive. Beogradi kërkon krijimin e bashkësisë së komunave serbe që nuk do të kishte autoritet ligjvënës, por do të kishte pushtet ekzekutiv.

Përfaqësuesit e serbëve në veriun e Kosovës, paralajmëruan të martën se nuk do të pranojnë asnjë marrëveshje që i bën ata pjesë të Kosovës së pavarur.
XS
SM
MD
LG