Lidhje

Tre policë të plagosur në veri të Kosovës


Tre pjesëtarë të policisë së Kosovës janë plagosur në rrethana ende të paqarta në afërsi të komunës së Zubin Potokut, një komunë me shumicë serbe

Tre pjesëtarë të policisë së Kosovës janë plagosur nga të shtënat më armë zjarri në komunën e Zubin Potokut në veriun e Kosovës të banuar me shumicë serbe.

Policia tha se në rrethana ende të paqarta është shtënë më armë zjarri mbi një patrullë të policisë kufitare që ishte në lëvizje në fshatin Banjskë të Zubin Potokut.

Tre pjesëtarë të policisë së Kosovës, që të tre të përkatësisë kombëtare serbe kanë pësuar plagë dhe janë dërguar në spitalin e veriut të Mitrovicës për trajtim.

Mjekët në veri thanë se njëri nga të plagosurit, Oliver Kuzmanoviç, i lindur në vitin 1974, është në gjendje më të rëndë me plagë në kraharor dhe në bark.

Tash për tash nuk dihen në shumë hollësi rreth këtij incidenti dhe as për autorët apo motivet e mundshme të tij.

Presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga, e dënoi ashpër sulmin duke e cilësuar atë “si një përpjekje për të penguar funksionimin e rendit demokratik dhe të sundimit të ligjit në Kosovë”.
Tre police te plagosur ne veri te Kosoves
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:04 0:00

Në reagimin e saj, presidentja Jahjaga thekson se “sulmi mbi policinë e Kosovës, nga persona ende të panjohur, është përpjekje për të pamundësuar zbatimin e ligjit dhe për të mbajtur në tension qytetarët e vendit. Institucionet e Kosovës nuk do të lejojnë pengimin e vendosjes së rendit në tërë territorin e vendit dhe nuk do të pranojnë rrezikimin e funksionimit demokratik të shoqërisë sonë.

Policia e Kosovës është institucioni që ka ndërtuar besimin në mesin e të gjithë qytetarëve të Kosovës pa dallim dhe ajo garanton sigurinë për të gjithë”, thuhet në reagimin e presidentes e cila bën thirrje që autorët e sulmit mbi policinë të kapen dhe të sillen përpara drejtësisë.

Sulmi u dënua edhe nga qeveria e Kosovës, e cila e cilësoi atë si një “akt qyqar të drejtuar kundër sigurisë së qytetarëve dhe institucioneve të Republikës së Kosovës”.

Sulmi i së hënës, ndodhi vetëm pak orë pas përfundimit të një raundi të ri bisedimesh ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre. Bisedimet e së hënës u tha se kanë afruar qëndrimet e palëve për një marrëveshje mbi sistemin e drejtësisë në veri.

Marrëveshjet e arritura gjatë vitit 2013, bënë që në fund të vitit të kaluar komunat veriore më shumicë serbe të përfshihen në zgjedhjet për pushtetin lokal të organizuara nga Prishtina. Marrëveshjet synojnë vendosjen e sundimit të ligjit në atë zonë që është skenë e kundërshtimeve më të ashpra ndaj pavarësisë së Kosovës.

Përfaqësuesit e së ashtuquajturës “vijë e fortë”, nuk pajtohen me përfshirjen e veriut nën kontrollin e Prishtinës.

Në janar të këtij viti, Serbia habi bisedimet për anëtarësim në Bashkimin Evropian, si shpërblim për përfshirjen e saj në procesin e normalizimit të marrëdhënieve me Kosovën, pavarësinë e së cilës vazhdon ta kundërshtojë.

Në qershor, Bashkimi Evropian do të vlerësojë përmbushjen e kritereve të përcaktuara për Serbinë në kuadër të bisedimeve për anëtarësim. Bisedimet me Serbinë i mundësuan Kosovës të hapë negociatat për stabilizim asocim me Bashkimin Evropian në tetor të vitit të kaluar.
XS
SM
MD
LG