Lidhje

Kosova nuk aplikon për t'u anëtarësuar në INTERPOL


Në Kosovë autoritetet thanë se kanë hequr dorë nga synimi për të shtruar kërkesën për anëtarësim në policinë ndërkombëtare INTERPOL, asambleja e përgjithshme e së cilës mbahet nga 26 deri më 29 shtator në Pekin, për shkak se nuk kishte siguruar vota të mjaftueshme.

Serbia e cila kundërshton pavarësinë e Kosovës, e cilësoi "fitore të saj" këtë vendim të Prishtinës.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj tha nëpërmjet një deklarate "besimin në Kosovën si anëtare e Interpolit e kanë shprehur tashmë shumë vende, por jo në numër të mjaftueshëm që Kosova të anëtarësohet në këtë organizatë" dhe për këtë arsye "kam marrë vendim për të shtyrë votimin e kërkesës së Kosovës për anëtarësim në Interpol për takimin e ardhshëm të kësaj organizate".

Ndërsa ministria e Punëve të Jashtme tha se ishin dy arsye që nxitën një vendim të tillë; "E para, INTERPOL-i është duke kaluar nëpërmjet rishikimit të procedurave dhe kritereve të anëtarësimit, andaj kemi vlerësuar, në bashkërendim me 'quintit' (pese vendet kryesore euro-perëndimore), në veçanti me Shtetet e Bashkuara dhe Gjermaninë, që duhet sqaruar këto kritere para se të votohet aplikacioni i Kosovës. Ky sesion i Asamblesë së Përgjithshme pritet të ketë në fokus kryesor reformën e brendshme.

E dyta, vendi nikoqir i takimit të Asamblesë së Përgjithshme të INTERPOL-it, ka shfaqur mëdyshje për të lejuar pjesëmarrjen e delegacionit të Kosovës në këtë Asamble dhe anëtarët e delegacionit tonë nuk kanë qenë në gjendje, që të pajisen me viza. Me këtë, nuk ishin krijuar kushtet, që të ndodh një votim për Kosovën pa praninë e delegacionit tonë", thuhet në njoftimin e ministrisë së Jashtme të Kosovës.

Kosova kishte paraqitur kërkesën për anëtarësim në INTERPOL edhe në prill të vitit 2015, por vitin e kaluar kjo organizatë kishte pezulluar kërkesën e saj.

Autoritetet në Kosovë thonë se anëtarësimi në policinë ndërkombëtare do ta ndihmonte vendin në luftën kundër terrorizmit, krimit të organizuar dhe trafikut me njerëz. Anëtarësimi do t'i mundësonte policisë së Kosovës qasje në të dhënat e kësaj organizate dhe shkëmbimin e informacioneve të dobishme për luftën kundër krimit ndërkombëtar.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG