Lidhje

Bashkësia Islame e Kosovës kundër shkuarjes së shqiptarëve në Siri


BIK mbështet rendin kushtetues të Kosovës dhe bën thirrje kundër përfshirjes së shqiptarëve në luftën e Sirisë

Bashkësia Islame e Kosovës dënoi sot kërcënimet e një organizate të panjohur drejtuar policisë së Kosovës dhe bëri thirrje kundër përfshirjes së shqiptarëve në luftën e Sirisë.

Ajo i bëri këto komente në një komunikatë për opinion pas zhvillimeve të fundit në Kosovë ku javën e kaluar u arrestuan gjashtë persona nën dyshimet për përfshirje në përgatitjen e veprimeve terroriste dhe kundër rendit kushtetuese të Kosovës.

Policia e Kosovës tha se është duke hetuar një kërcënim drejtuar asaj nga një organizatë e panjohur që veten e quan “Xhemati i Teuhidit dhe Xhihadit në Kosovë”. Nëpërmjet postës elektronike, medieve lokale në Kosovë u është dërguar një porosi ne të cilën i kërkohet policisë së Kosovës që të lirojë të arrestuarit ditë më parë, në të kundërtën mund të përballet me sulme të dhimbshme.

Mediet lokale thanë se njëri nga të arrestuarit besohet të ketë qenë në Siri duke luftuar në radhët e kryengritësve kundër forcave të regjimit të Bashar Al Asadit, përkatësisht përkrah forcave të afërta me Al Qaeda-n.

Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës sot u bëri thirrje të rinjve nga Kosova “që në çfarëdo mënyre janë impenjuar me luftën në Siri që sa më parë të kthehen në vend pran familjeve të tyre, ndërsa i porosisim dhe u bëjmë me dije të gjithë atyre që kanë marrë një rrugë të tillë, mos të bien pre e grupeve dhe individëve që dëshirojnë të bëjnë "Xhihad" me tragjedinë e popullit sirian”.

Në komunikatë thuhet se kryesia e Bashkësisë Islame si dhe populli i Kosovës përkrah luftën e drejt të popullit sirian. Mirëpo, “shkuarja në Siri për të luftuar gjoja për kauzën islame, jo që nuk ka të bëjë asgjë me parimet fetare, në të cilat thirren organizatat e panjohura për ne dhe popullin tonë, por për me keq i zgjat jetën regjimit të Bashar al-Asadit dhe vuajtjet të popullit sirian. Nuk kemi të rinj për të rekrutuar njerëz të panjohur në emrin e fesë islame. Në Kosovë, Bashkësia Islame e Kosovës është institucioni i vetëm që jep fetva dhe udhëzime për besimtarët tanë dhe interpreton e sqaron parimet dhe mësimet fetare”.

Kryesia e Bashkësisë Islame u bënë thirrje besimtarëve që të mos të bien pre e organizimeve të dyshimta, e njerëzve pa adresë, dhe mos tu bashkohen kauzave që nuk dihet për çka angazhohen.

Në komunikatë thuhet se kjo bashkësi “dënon edhe kërcënimin e një gjoja ushtrie në adresë të Policisë së Kosovës, të cilin e konsiderojmë sulm ndaj rendit kushtetues të vendit. Kryesia e BIK përkrah fuqishëm punën e institucioneve kushtetuese të sigurisë së vendit, dhe në të njëjtën kohë kërkojmë nga opinioni që mos të paragjykojnë askënd derisa organet e drejtësisë nuk e japin fjalën e tyre”, thuhet në komunikatën e Bashkësisë Islame të Kosovës.

Agjencitë e zbulimit thonë se disa qindra shqiptarë nga Kosova, Shqipëria e Maqedonia mund të kenë shkuar në Siri për të luftuar, ndonëse askush në Kosovë nuk ka të dhëna të sakta për numrin e tyre. Bashkësia Islame e Kosovës edhe me herët ka bërë thirrje në shumë raste që siç thuhet zhvillimet në lindjen e mesme dhe posaçërisht ato në Siri, të mos ndikojnë në veprimet e besimtarëve në Kosovë, duke tërhequr vërejtjen se ajo është kundër shkuarjes në luftë në Siri.
XS
SM
MD
LG