Lidhje

Haradinaj: Nëse duhet do të ftojmë FBI-në për të hetuar vrasjen e Oliver Ivanoviçit


Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj tha se institucionet e vendit janë të përkushtuara për ndriçimin e vrasjes së politikanit serb, Oliver Ivanoviç, ndërsa e dënoi siç tha çdo tendencë që të shfrytëzohet ky rast për agjenda politike.

Ai i bëri këto komente në një konferencë me gazetarë pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë Kombëtare, ku është diskutuar për gjendjen e përgjithshme të sigurisë në vend posaçërisht pas vrasjes së politikanit serb Oliver Ivanoviç.

Këshilli i Sigurisë së Kosovës thekson se"autoritetet e sigurisë dhe ato të ndjekjes po zhvillojnë hetime intensive në rastin e vrasjes së Oliver Ivanoviq dhe po hetojnë të gjitha pistat e mundshme. Organet e rendit kanë kërkuar nga të gjithë qytetarët, pa dallim, që të ofrojnë ndihmën dhe bashkëpunimin e tyre në zbulimin e kapjen sa më të shpejt të kryesve të këtij akti kriminal dhe sjelljen e tyre përpara drejtësisë".

“Vrasja e Oliver Ivanoviçit ka parametra të keqpërdorimit politik apo më shumë. Që nga momenti i marrjes së lajmit institucionet e vendit i kanë kryer përgjegjësitë e veta në bazë të ligjit në vendin e ngjarjes. Po ashtu të gjitha institucionet e vendit kanë qenë të mobilizuara. Ne e dënojmë këtë krim dhe njëkohësisht e dënojmë çdo tendencë që të shfrytëzohet ky krim, këtë vepër makabre për agjenda politike dhe agjenda tjera nga kushdo qoftë”, tha pas mbledhjes kryeministri Haradinaj.

Ai bëri thirrje edhe për mos ndërhyrje të vendeve tjera në punët e institucioneve të Kosovës, duke aluduar në deklaratat e presidentit të Serbisë Aleksandër Vuçiç i cili gjatë ditës tha se vendi i tij do të kryej hetime të posaçme dhe do të ndriçojë rastin nëse këtë nuk e bëjnë autoritetet në Kosovë

“Policia e Kosovës është në krye të detyrës, por po ashtu policia ka marrëdhënie të mira me plot organizata simotra dhe sikur ne ta ndjejmë nevojën për ndihmesë në hetime mund të ftojmë FBI-në e që është shumë e besueshme dhe nuk i mirëpresim deklarimet e askujt për ndërhyrje në rend dhe ligj në veri. Mendojmë se edhe ky krim dhe zhvillimet të caktuara kriminale që ndodhin në veri janë po ashtu rezultat i ndërhyrjeve ilegale që ndodhin në veri nga instancat tjera jashtë Kosove”, tha kryeministri Haradinaj.

Drejtori i Policisë së Kosovës, Shpend Maxhuni, tha se policia ka tashmë informacione rreth makinës që është gjetur e djegur dhe besohet se është përdorur nga autorët e vrasjes së Oliver Ivanoviçit.

“Kjo veturë ka qenë pa targa, por ne kemi arritur që të kemi informatat e nevojshme për prejardhjen e veturës dhe pronësinë e saj. Nuk mund të jap më shumë detaje, por informacionet që kemi janë të mjaftueshme që të gjurmojmë pronarin e kësaj veture”, tha zoti Maxhuni.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG