Lidhje

Oliver Ivanoviç në paraburgim


Gjykata e Apelit në Kosovë, vendosi të enjten që të dërgojë në paraburgim politikanin lokal serb Oliver Ivanoviç, i dënuar me 9 vjet heqje lirie nën akuzat për krime lufte.

Oliver Ivanoviç, kryetar i Nismës Qytetare Serbia, Drejtësia, Demokracia, më 21 janar, u shpall fajtor nga një gjykatë e drejtuar nga Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e ligjit për veprën penale “krime lufte kundër popullatës civile”.

Ai u mbajt në arrest shtëpie në pritje që vendimi të behët i plotfuqishëm, ndërsa të enjten u dërgua në paraburgim me vendimin e Gjykatës së Apelit e cila siç thuhet, "ka konstatuar se masa e arrestit shtëpiak është caktuar gabimisht".

Gjykata shpjegon se sipas Kodit të Procedurës Penale, "masa e paraburgimit është e detyrueshme sa herë që i pandehuri dënohet me më shumë sesa pesë vjet burgim. Nuk ka diskrecion në këtë drejtim, prandaj Gjykata e Apelit e ka ndryshuar aktvendimin e Gjykatës Themelore ashtu që masën e arrestit shtëpiak ndaj të pandehurit Oliver Ivanoviç e ka zëvendësuar me masën e paraburgimit, derisa aktgjykimi në fjalë të marrë formë të prerë", thuhet në vendimin e Gjykatës së Apelit.

Vendimi i së enjtes nxiti reagime të zyrtarëve serbë, të cilët ishin shprehur të zemëruar edhe me dënimin e Oliver Ivanoviçit, duke paralajmëruar madje se dënimi i tij mund të ndikojë edhe në procesin e bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Për të premten janë paralajmëruar protesta në veriun e Mitrovicës me kërkesën për lirimin e tij.

Oliver Ivanoviç, i cili është përfshirë në politikë që nga përfundimi i luftës në Kosovë, në zgjedhjet për pushtetin komunal të vitit 2013, ishe kandidat për postin e kryetarit të komunës së veriut të Mitrovicës.

XS
SM
MD
LG