Lidhje

Mbreti Abdullah: Jemi para Luftës së Tretë Botërore


Mbreti i Jordanisë, Abdullahu i dytë dhe presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga diskutuan në Prishtinë për rreziqet nga ekstremizmi

Mbreti i Jordanisë, Abdullahu i Dytë, tha të martën në Kosovë se bota është në prag të luftës së tretë botërore kundër njerëzimit.

Ai i bëri këto komente pas takimit me presidenten e Kosovës, Atifete Jahjaga, të cilën e takoi në kuadër të një turneu të planifikuar më herët, gjatë të cilit ai do të qëndrojë edhe në Austri dhe në Spanjë.

Të dy ata shprehën tronditjen e tyre me sulmet e javës së kaluar në Paris, duke e cilësuar atë si sulm ndaj vlerave dhe lirive.

Këto sulme, tha mbreti Abdullah, tregojnë se ligësia e terrorizmit mund të godas kudo dhe kurdo. Grupet si Shteti Islamik e shfaqin veten çdo ditë si egërsira të jashtëligjshme të religjionit, të zhveshur nga humanizmi dhe që nuk respektojnë asnjë ligj dhe asnjë kufi.

“Jemi pak para luftës së tretë botërore kundër njerëzimit. Kjo na bashkon të gjithëve, kjo është luftë, siç e kam thënë shpesh, brenda islamit dhe, fatkeqësisht, mbi 100 mijë myslimanë janë vrarë vetëm në dy vitet e fundit nga Shteti Islamik dhe kjo nuk përfshin mizoritë e kryera nga grupet e ngjashme në Afrikë dhe në Azi”, tha mbreti Abdullah duke nënvizuar se kjo është arsyeja për një reagim gjithëpërfshirës.

Presidentja Jahjaga tha se mposhtja e rrjeteve terroriste është sfidë që duhet të kundërshtohet nga të gjithë dhe se duhet përkuhstuar vëmendjen dhe të gjitha burimet për t’i shkatërruar dhe mposhtur ato.

“Kosova do të vazhdojë ta dëshmojë këtë përcaktim këtu. Nuk do të jemi strehimore e as rrugë kalimtare për këto elemente dhe do të vazhdojmë të punojmë me partnerët tanë dhe organizatat ndërkombëtare të sigurisë për ta adresuar këtë çështje”, tha presidentja Jahjaga.

Mbreti Abdullah duke theksuar mbështetjen e Jordanisë për Kosovën, tha se Kosova pasqyron vlerat më të mira të tolerancës dhe bashkëjetesës dhe të se ato janë vlerat që duhet të ndërtohen për t’ju kundërvënë barbarizmit që ndodhi javën e kaluar në Paris.

XS
SM
MD
LG