Lidhje

Sulmohet shtëpia e kryeredaktorit të RTK-së


Një shpërthim në orët e hershme të mëngjesit ka dëmtuar shtëpinë e kryeredaktorit të Radiotelevizionit të Kosovës, Mufail Limani.

Në Prishtinë, është sulmuar në orët e hershme të mëngjesit shtëpia e kryeredaktorit të Radiotelevizionit të Kosovës, Mufail Limani.

Policia tha se po heton shpërthimin që ka ndodhur në dyert e shtëpisë së tij duke lënë pas vetes dëme materiale por pa pasoja në njerëz.

Policia dyshon se bëhet fjalë për shpërthimin e një bombole gazi të vendosur në rrethana të paqarta në dyert e shtëpisë së zotit Limani. Por, ajo tha se është herët të thuhet çfarëdo qoftë për motivet apo autorët e mundshëm të këtij sulmi.

Ndërkohë, Bordi u drejtorëve të Radiotelevizionit të Kosovës e dënoi fuqishëm sulmin kundër kryeredaktorit Limani.

Ky sulm i drejtuar kundër njërit prej gazetarëve më të shquar shqiptarë ka ndodhur ne ditët kur bota e shënon Ditën e Lirisë së Shtypit. Prandaj Bordi i RTK-së kërkon nga autoritet zbardhjen e këtij sulmi dhe sjelljen e kryesve para drejtësisë. Gjithashtu Bordi i RTK-së u bën thirrje organizatave mediale dhe medieve që te vihen në mbrojtje te gazetarit Mufail Limani, dhe të gjithë gazetarëve që në çfarëdo mënyre kërcënohen e sulmohen për shkak të punës së tyre, sepse kështu vihen ne mbrojtje te lirisë së fjalës”, thuhet në reagim.

Sulmi u dënua edhe nga shoqatat e gazetarëve në Kosovë. Unioni i Gazetarëve të Kosovës e cilëson sulmin si “një akt qyqar e barbar që dëmton rëndë lirinë e shprehjes dhe punën profesionale të gazetarëve”.

Unioni i Gazetarëve vlerëson se kohëve të fundit janë rritur kërcënimet e sulmet ndaj gazetarëve dhe punonjësve të medieve në Kosovë, dhe kjo po ndodhë pikërisht nga njerëz apo grupe të cilët po i pengon e vërteta.

Asociacioni i Gazetarëve Profesionistë të Kosovës është shprehur i shqetësuar me njoftimin për sulmin në shtëpinë e zotit Limani, ndërsa bënë thirrje për ndriçimin e sulmit dhe vënien e autorëve para drejtësisë.

Sulmi u dënua edhe nga qeveria e Kosovës e cila thekson se “ky është një akt qyqar, në kundërshtim të plotë me vlerat dhe parimet e lirisë së medies, të shoqërisë së lirë dhe shtetit demokratik të Kosovës”.
XS
SM
MD
LG