Lidhje

Kosovë: Dënohet trysnia mbi portalin Kossev në veriun e vendit


Përfaqësuesi i Organizatës për Siguri e Bashkëpunim në Evropë dhe shoqatat e gazetarëve në Kosovë u shprehën të shqetësuara me trajtimin e gazetares së portalit Kossev në veriun e Kosovës, Tatjana Llazareviç, e cila pohon të jetë penguar gjatë punë së saj.

Ajo tha se ishte ndaluar dhe më pas liruar nga policia në veriun e Kosovës derisa po punonte për një artikull në shtëpinë e shëndetit në komunën e Zveçanit, nën dyshimet se ka shkelur kushtet e ndalimit të lëvizjes të vendosura nga autoritete lokale për pengimin e zgjerimit të kornavirusit.

Gazetarha Llazareviç, që është edhe redaktore e portalit dy ditë më herët ishte penguar gjatë ushtrimit të detyrës nga anëtarët e shtabit të krizës në veri të Mitrovicës, për shkak të transmetimit të drejtpërdrejtë të konferencës së tij rreth gjendjes në atë zonë.

Përfaqësuesi i OSBE-së për lirinë e medies, Harlem Désir, u shpreh i shqetësuar me “të dyja incidentet kundër portalit”.

“Jam i shqetësuar për arrestimin e shkurtër të Tatjana Lazareviçit dhe mënyrën se si autoritetet lokale në Mitrovicën e Veriut po e trajtojnë punën e portalit KoSSev. Gazetarët luajnë një rol thelbësor gjatë kësaj krize shëndetësore duke siguruar informacion jetik për publikun. Qasja në informacione dhe një mjedis i lirë pune janë pra thelbësore dhe duhet të sigurohen në çdo kohë, "tha zoti Désir.

Ai nënvizoi se çdo lloj trysnie ndaj gazetarëve ka pasoja të menjëhershme, jo vetëm mbi ta, por edhe mbi të drejtën e publikut për t'u informuar.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës u shpreh me shqetësim për rastin duke theksuar se “pengimi i gazetarëve përderisa ata janë në krye të detyrës, paraqet trysni jo vetëm ndaj punës së tyre por edhe ndaj lirisë së shprehjes. Kjo, po ashtu është edhe në kundërshtim me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës, si dhe me konventat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut”.

Kjo shoqatë rikujton se, gazetarët dhe ekipet përcjellëse, mund të vazhdojnë veprimtarinë e tyre në mënyrë të rregullt, në përputhje me urdhëresat të cilat tashmë janë në fuqi. Gazetarët, kameramanët, fotoreporterët dhe punetorët medial duhet që gjatë gjithë kohës të mbajnë me vete kartat e identitetit, të cilat dëshmojnë angazhimin e tyre profesional.

Qendra Evropiane për Shtypin dhe Lirinë e Medias e dënoi po ashtu arrestimin e gazetares Llazareviç, duke nënvizuar se gazetarët "duhet të jenë në gjendje të vazhdojnë të punojnë, edhe gjatë kohës së kufizimit të lëvizjes”.

Ndaj këtij rasti reaguan edhe shumë organizata të shoqërisë civile në Kosovë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG