Lidhje

Kosovë: Debatet politike dëmtojnë drejtësinë


Ambasada amerikane në Prishtinë, reagon kundër debateve ne Parlamentin e Kosovës lidhur me një proces gjyqësor të përfunduar

Ambasada amerikane në Prishtinë, tërhoqi sot vërejtjen se debati politik mbi çështjet gjyqësore, vetëm sa mund të dobësojë institucionet e Kosovës. Këto komente u bënë nëpërmjet një deklarate, në të cilën ambasada reagoi ndaj debatit të së premtes në Parlamentin e Kosovës lidhur me një proces gjyqësor të përfunduar, debat që pritet të vazhdojë.

Debati i së premtes vetëm sa konfirmoi kritikat e disave se udhëheqësit politikë të Kosovës tentojnë të ndikojnë në procedurat e sundimit të ligjit dhe të minojnë pavarësinë e gjyqësorit. Debati i vazhduar i Parlamentit për një çështje gjyqësore tashmë të gjykuar i shërben vetëm dobësimit të mëtutjeshëm të institucioneve të Kosovës”, thuhet në deklaratën e ambasadës amerikane.

Të premten parlamenti hapi debatin mbi procesin gjyqësor kundër katër vetave të dënuar për vrasjen e një familjeje shqiptare 12 vjet më parë. Vëllezërit Arben dhe Jeton Kiçina, si dhe Arsim dhe Burim Ramadani, po vuajnë dënimin prej 106 vjetësh heqje lirie, nën akuzat se në vitin 2001, në fshatin Baicë të komunës së Drenasit, në Kosovën qendrore vranë Hamzë Hajrën, bashkë me katër anëtarë të familjes së tij.

Hamëz Hajra, i cili nga shqiptarët e rajonit të tij shihej si bashkëpunëtor i regjimit të Beogradit gjatë viteve të 90-ta, ishte duke udhëtuar me makinë bashkë me gruan dhe katër fëmijë kur u qëllua më armë zjarri. Vetëm një nga fëmijët i mbijetoi sulmit.

Të katër të dënuarit janë ish-pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Ndaj debatit të Parlamentit lidhur me këtë proces ka reaguar edhe përfaqësuesi i posaçëm Bashkimit Evropian në Kosovë, Samuel Zbogar, sipas të cilit “janë përdorur të gjitha rrugët ligjore dhe se kjo çështje konsiderohet e mbyllur. Në raste të tilla, Parlamenti duhet të mos angazhohet në asnjë veprim, i cili mund të interpretohej si përpjekje për të ndikuar ose përmbysur ndonjë vendim gjyqësor, si dhe përpjekje për të ndikuar mbi gjykatësit dhe pavarësinë e tyre në raste të tjera në të ardhmen”.

Të martën, parlamenti do të vendosë mbi propozimin për themelimin e një komisioni për verifikimin e shkeljeve procedurale dhe të drejtave dhe lirive të njeriut në këtë rast gjyqësor.
XS
SM
MD
LG