Lidhje

Kosovë: Tre të dënuar me kusht në rastin “pronto”


Gjykata e Apelit në Kosovë, shpalli fajtorë dhe i dënoi me heqje lirie me kusht tre nga 11 personat e akuzuar për përfshirje në një skandal përgjimesh telefonike, që u bë i njohur si rasti "pronto", për shkak të përdorimit të kësaj fjale gjatë komunikimeve.

Grupi prej 11 personave ishte liruar më 3 janar të këtij viti nga Gjykata Themelore në Prishtinë. Prokuroria ngarkonte grupin pjesë e të cilit ishin ish ministra dhe ish deputetë, si dhe zyrtarë të lartë të institucioneve të Kosovës për kryerjen e veprës penale "shkelja e statusit të barabartë të shtetasve dhe banorëve të Republikës së Kosovës".

Gjykata e Apelit të mërkurën ndryshoi pjesërisht aktgjykimin e shkallës së parë dhe i shpalli Adem Grabovcin, Ilhami Gashin dhe Sedat Gashin.

Adem Grabovci, u dënua me 1 vjet e 2 muaj heqje lirie dhe i është hequr e drejta për t’u zgjedhur dhe i është ndaluar ushtrimi i funksioneve ne administratën publike apo shërbimin publik, në kohëzgjatje prej 2 vjetësh, pas kalimit të periudhës së verifikimit të dënimit me kusht.

Ilhami Gashi u dënua me 1 vit e 4 muaj heqje lirie dhe gjithashtu i është hequr e drejta për t’u zgjedhur dhe i është ndaluar ushtrimi i funksioneve ne administratën publike apo shërbimin publik, në kohëzgjatje prej 2 vjetësh, pas kalimit të periudhës së verifikimit të dënimit me kusht.

Ndërsa Sedat Gashi u dënua me 8 muaj heqje lirie dhe njësoj i është hequr e drejta për t’u zgjedhur dhe i është ndaluar ushtrimi i funksioneve ne administratën publike apo shërbimin publik, në kohëzgjatje prej 2 vjetësh, pas kalimit të periudhës së verifikimit të dënimit me kusht.

Asnjëri prej tyre nuk do të vuajë dënimin përveç nëse nuk kryejnë vepra tjera penale brenda periudhës së verifikimit.

Ngritja e aktakuzës në prill të vitit 2018, pasoi një periudhë të gjatë hetimesh që zunë fill me hapjen e tyre më 26 gusht të vitit 2016 ndaj ish deputetit të Partisë Demokratike, Adem Grabovci.

Hetimet kundër tij atëbotë pasuan publikimin e përgjimeve të bisedave në gazetën në internet “Insajderi”, ku shfaqet ndikimi i ushtruar nga ai dhe zyrtarë të tjerë të Partisë Demokratike të Kosovës në emërimet në postet qeveritare, në drejtësi, media dhe në polici.

Përgjimet janë kryer gjatë muajve të fundvitit 2011 dhe në fillim të vitit 2012 në kuadër të hetimeve që kryheshin atëbotë në ish Ministrinë e Transportit, ku subjekt i përgjimeve, me autorizimin e prokurorit të EULEX-it, ishte edhe Adem Grabovci.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG