Lidhje

Kosovë, paralajmërohet urdhër arrest për Albin Kurtin


Një gjykatës i Gjykatës Themelore të Prishtinës ka paralajmëruar lëshimin e një urdhër arresti dhe që t’i caktohet masa e paraburgimit deputetit të lëvizjes "Vetëvendosje", Albin Kurti.

Paralajmërimi i gjykatësit, pasoi një seancë në Gjykatën Themelore në Prishtinë lidhur me rastin e hedhjes së gazit lotsjellës vitin e kaluar në Parlamentin e Kosovës. Katër deputetë të lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti, Donika Kadaj-Bujupi, Albulena Haxhiu e Faton Topalli, akuzohen “për përdorim të armës ose mjetit të rrezikshëm dhe pengim të personit zyrtar në kryerje të detyrës zyrtare”.

Mungesa e deputetit Kurti në seancën e gjykimit, shtyu gjykatësin Beqir Kalludra që të paralajmërojë një urdhër të tillë.

Kundër kësaj reagoi kryetari i lëvizjes Vetëvendosje Visar Ymeri, i cili nëpërmjet një postimi në rrjetin social Facebook, tha se “ky fletë arrest është i pabazë e jo ligjor dhe i njëjti duhet të anulohet menjëherë”.

Zoti Ymeri theksoi se “në vendin ku sundon krimi e padrejtësia, lëshohet urdhër-arresti për aktivistin që proteston për drejtësi, barazi e demokraci. Varësia e gjyqësorit të Kosovës nga pushteti politik po na shndërron në vend qesharak”, thuhet në reagimin e tij.

Vitin e kaluar, për më shumë se gjashtë muaj deputetët e opozitës organizuan protesta dhe bllokuan punën e parlamentit me gaz lotsjellës kundër marrëveshjeve të arritura me Serbinë për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe asaj për shënimin e kufirit me Malin e Zi.

Që nga ajo kohë, skena politike ende vazhdon të mbetet e ndarë për këto çështje, ndërsa kohëve të fundit janë shtuar edhe kërkesat që vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme, për shkak të siç po thuhet, të mos funksionimit të shtetit dhe pamundësisë që koalicioni qeveritar të marr vendime të rëndësishme për vendin.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG