Lidhje

Kosovë, thirrje për një Gjykate të posaçme për luftimin e korrupsionit

  • Leonat Shehu

Përfaqësues të organizatave që mbikëqyrin dhe vlerësojnë punën e sistemit gjyqësor në Kosovë, bënë thirrje sot për themelimin e një Prokurorie dhe Gjykate të Posaçme për luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar. Këto thirrje u bënë në një konferencë të organizuar nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, ku u tha se mungesa e rezultateve të luftës kundër këtyre dukurive e bënë të pashmangshme themelimin e mekanizmave të tillë.

Betim Musliu nga ky institut tha se për të themeluar dy institucionet e reja të pavarura do të duhej të ndryshohet edhe kushtetuta e Kosovës dhe për këtë, sipas tij, duhet edhe vullnet politik. Zoti Musliu tha se këto dy institucione fillimisht do të duhej të kishin një mandat pesë vjeçar me mundësi të vazhdimit.

“Legjislatura e ardhshme do të duhej të shprehte vullnet politik dhe ky vullnet së pari duhet të reflektonte në ndryshimin e kushtetutës e cila do t’i mundësonte përmes një amandamenti krijimin e kësaj prokurorie dhe gjykate të posaçme dhe më pas do të duhej që kjo prokurori të përcaktonte qartë të gjitha kompetencat dhe përgjegjësitë si institucion i pavarur”, tha ai

Sipas Institutit të Kosovës për Drejtësi, Prokuroria dhe Gjykata e Posaçme kundër korrupsionit do të merrej me krimin e organizuar, me korrupsionin e zyrtarëve dhe veprave penale kundër detyrës zyrtare dhe po ashtu në kuadër të veprave penale kundër administrimit të drejtësisë dhe administratës publike. Sipas këtij instituti, këta tri kapituj mbesin problem për prokurorinë e shtetit që të zhvillojë hetim të pavarur dhe që të ngritë aktakuza që janë të qëndrueshme dhe të cilat arrijnë të provohen në gjykata.

Zoti Musliu thotë se e gjithë puna e Prokurorisë dhe Gjykatës së Posaçme do të duhej të ishte e pavarur dhe larg sistemit aktual të drejtësisë.

“Të gjithë procesin e rekrutimit të policëve hetues, të prokurorisë së posaçme, të gjykatës së posaçme ku do të jenë prokurorët dhe gjykatësit, duhet ta përfundoj si proces në tërësi ambasada amerikane dhe po ashtu Britania e Madhe. Vetëm në këtë formë do të mundësohet që pa ndërhyrjen e vendorëve të kemi prokurorë dhe gjykatës që kanë integritet të plotë që janë të guximshëm dhe profesional për të shërbyer në këtë prokurori”, tha ai.

Ai tha se sistemi i drejtësisë në Kosovë nuk është duke e luftuar korrupsionin.

“Lufta e vërtetë kundër korrupsionit sot për sot nga ana e institucioneve të drejtësisë është duke u bërë vetëm përmes statistikave dhe të një retorike të zakonshme e cila përfundon me një blof publik që është një mashtrim i madh, por që realisht, korrupsioni i vërtetë nuk është duke u ndjekur fare”, tha ai.

Organizata të shumta ndërkombëtare dhe ato vendore thonë se këto dukuri kanë shtrirje të thellë në Kosovë. Luftimi i krimit të organizuar dhe korrupsionit ndërkaq përfshihet në kriteret kryesore që Kosova duhet të përmbushë në rrugën e saj drejt integrimeve evropiane.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG