Lidhje

Kosovë: Komuniteti LGBT hap "Javën e krenarisë"


Në Kosovë u hap zyrtarisht "Java e krenarisë" e cila bën bashkë përfaqësues të organizatave që merren me mbrojtjen e të drejtave të komunitetit LGBTI, ndërsa javën tjetër pritet të mbahet një parakalim në Prishtinë.

Hapja e kësaj jave u bë në një ceremoni të veçantë në të cilën mori pjesë kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj. Ai tha Kosova është e gatshme të respektojë të drejtat dhe liritë e secilit qytetar pa asnjë dallim.

"Meqë është hera e parë këtu në Kosovë, atëherë besoj që kjo do të thotë shumë, edhe për vet specifikat që ka vendi ynë, shoqëria jonë. Mirëpo kjo e reflekton edhe një guxim tonin edhe qytetar edhe shoqëror por edhe institucional, që atë që ne e kemi deklaru që kushtetuta jonë do t'i respektojë të drejtat e të gjithëve pa dallim edhe të gjitha liritë njerëzore do të jenë të respektuara. Me këtë rast Kosova është e gatshme t'i respektojë të drejtat e komunitetit LGBT në Kosovë dhe njëkohësisht të mundësojë që një barazi e një liri njerëzore, një liri e zgjedhjes së lirë të ndodhë edhe në bazë të përcaktimit të secilës e secilit", tha kryeministri Haradinaj.

Hapja e "Javës së Krenarisë" i paraprin mbajtjes së Paradës së Krenarisë të martën në kryeqytet. "Pristina 1st Pride" e cila organizohet për herë të parë në Kosovë do të mbahet nën moton “Në emër të dashurisë”.

Agim Margilaj nga Qendra për Zhvillimin e Grupeve Shoqërore tha se ka ardhur koha të dëgjohet zëri i komunitetit LGBTI si dhe që ky komunitet të gëzojë trajtimin e garantuar me ligj.

"Kjo paradë organizohet për të tërhequr vëmendjen e institucioneve qeveritare dhe publike dhe për t'i treguar shoqërisë së Kosovës që komuniteti LGBTI është këtu, i pranishëm në çdo segment të jetës në Kosovë. Ne besojmë që ka ardhë koha të dëgjohet zëri i tyre dhe të respektohen të drejtat e njeriut të garantuara me ligj. Kjo paradë u bën thirrje udhëheqësve të Republikës së Kosovës që të drejtat e komunitetit LGBTI të vendosen si prioritet në agjendat e tyre politike ashtu siç duhet të vendosen të drejtat e të gjitha komuniteteve të margjinalizuara në Kosovë", tha Margilaj.

Përfaqësues të të shoqërisë civile dhe komunitetit LGBT thonë se kuadri ligjor ofron garanci për të drejtat e njeriut dhe kundër diskriminimit, përfshirë edhe të drejtat e komunitetit LGBT, por ky komunitet ende është i detyruar të jetojë në hije, me frikën se zbulimi i orientimit seksual do të mund të çojë në përjashtimin nga familja e shoqëria.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG