Lidhje

Kosovë, shënohet dita ndërkombëtare kundër homofobisë


Në ndërtesat e disa institucioneve perëndimore në Kosovë, u ngritën të premten flamujt shumëngjyrësh në nderim të ditës ndërkombëtare kundër homofobisë, e cila u shënua edhe me një konferencë për të drejtat e barabarta dhe kushtetuese për personat e komunitetit LGBTI.

Ambasadori amerikan në Prishtinë, Philip Kosnett, bëri thirrje gjatë konferencës së organizuar nga Qendra për Barazi dhe Liri të komunitetit LGBT në Kosovë, që të vazhdohet me përpjekje konkrete nga institucionet për të siguruar të drejtat e njeriut për të gjithë qytetarët e Kosovës.

“Në të gjithë botën lufta për barazi vazhdon. Njerëzit nga komuniteti LGBTI shpesh pengohen të ushtrojnë të drejtat themelore të njeriut dhe vazhdojnë të përballen me dhunë, kërcënime, përjashtim dhe frikësim nga bashkëqytetarët, nga zyrtarët qeveritar dhe madje nga vet anëtarët e familjeve të tyre. Në Kosovë, me gjithë se kushtetuta ofron mbrojtje për të gjithë qytetarët, komuniteti LGBTI ende është duke luftuar për të drejtat dhe pranim më të gjerë”, tha ai.

Ambasadori Kosnett tha se ndryshmet e fundit në Kodin penal kanë bërë që të ofrohet një mbrojtje më e mirë për shkeljet që i bëhen komunitetit LGBTI ndërsa përgëzoi institucionet e rendit për shtimin e përpjekjeve që ky komunitet t’i gëzojë të drejtat e plota.

Zëvendës shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Riccardo Serri, tha se Kosova ka bërë përparime në respektimin e të drejtave të komunitetit LGBTI ndërsa bëri thirrje për vazhdimësi në mbrojtjen e të drejtave të tyre.

“Pra, ku qëndron Kosova në këtë proces. Ende mbetet shumë për të bërë në një shoqëri konservative dhe qe ka kufizime dhe ngurrim nga njerëzit e arsimuar te jenë sa më të hapur ndaj këtij komuniteti”, tha zoti Serri.

Drejtuesit e institucioneve vendase thonë se Kosova ka nxjerrë një varg ligjesh që kanë ndikim të drejtpërdrejtë në mbrojtjen e të drejtave të njeriut, siç është ligji kundër diskriminimit, që rregullon dhe parandalon çfarëdo forme të diskriminimit.

Veprimtarët e shoqërisë civile thonë se Kosova ka bërë përparim duke siguruar mbrojtje për pjesëtarët e komunitetit LGBTI me anë të ligjeve të ndryshme duke përfshirë ndalimin e diskriminimit në bazë të orientimit seksual dhe duke ndëshkuar më ashpër ata të cilët nxisin urrejtje ose sulmojnë dikë për shkak të perceptimit apo orientimit seksual.

Megjithatë, ata tërheqin vërejtjen se zbatimi i ligjeve ende mbetet i dobët dhe në shumë raste të drejtat e njeriut për komunitetin LGBTI mbeten të pa mbrojtura dhe problem kryesor ende mbetet “urrejtja e vazhdueshme”.

Drejtori i Qendrës për Barazi dhe Liri, Blert Morina tha se legjislacioni i miratuar në Kosovë është i mirë, por kjo nuk mjafton.

“Ligjet nuk janë të mjaftueshme vetëm në letër, ligjet janë të mira në momentin e parë kur gjejnë me lehtësi zbatueshmëri në praktikë. Duhet të kenë vetëm një qëllim mbrojtjen dhe respektimin e çdo individi që është pjesë përbërëse e kësaj shoqërie”, tha ai.

Zyrtarë qeveritar, përfaqësues të shoqërisë civile dhe komunitetit LGBTI thonë se pjesëtarët e këtij komuniteti ende janë të detyruar të jetojë në hije, me frikën se zbulimi i orientimit seksual do të mund të çojë në përjashtimin nga familja e shoqëria.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG