Lidhje

Kosova kërkon zbatimin e marrëveshjes së Ohrit në Maqedoni


Qeveria e Kosovës bën thirrje për maturi dhe gjetje të zgjidhjes përmes dialogut të ndërsjellë në Maqedoni.

Qeveria e Kosovës bëri thirrje për zbatimin e marrëveshjes së Ohrit në Maqedoni si rrugën e vetme për zgjidhjen e çështjeve të hapura ndërmjet komuniteteve në atë vend.

Në një reagim të qeverisë së Kosovës, thuhet se ajo është duke përcjellë me vëmendje zhvillimet e fundit në Maqedoni, si rrjedhojë e aktgjykimeve ndaj të akuzuarve në rastin “Monstra” dhe protestave qytetare, që pasuan si reagim ndaj aktgjykimeve.

Me këtë rast, qeveria e Kosovës rithekson se “dialogu politik ndërmjet komuniteteve dhe zbatimi në përpikëri i Marrëveshjes së Ohrit është rruga e vetme e zgjidhjes së çështjeve të hapura midis komuniteteve në Maqedoni. Respektimi i të drejtave fundamentale kushtetuese dhe institucionale është mënyra e vetme për të evituar eskalimin e dhunës, që do të mund të përcillej me pasoja të rënda për tërë rajonin”.

Duke nënvizuar se Republika e Kosovës është e përkushtuar në procesin e integrimeve euro-atlantike dhe bashkëpunimit rajonal, qeveria “thërret të gjitha palët në Republikën e Maqedonisë që të përmbahen nga dhuna si mjet i zgjidhjes së çështjeve politike. Populli shqiptar në Maqedoni ka përfaqësuesit e vet të zgjedhur në mënyrë demokratike, të cilët e kanë për obligim që t'i adresojnë në mënyrë institucionale problemet dhe shqetësimet e popullatës shqiptare”, thuhet në reagimin e qeverisë së Kosovës.

XS
SM
MD
LG