Lidhje

Prishtina thërret ambasadorin maqedonas


Ministria e jashtme e Kosovës reagon ndaj notës së protestës së Shkupit, ndërsa bën thirrje që palët në Maqedoni të përmbahen nga veprimet e dhunshme.

Në Kosovë, ministria e jashtme thirri të premten në takim ambasadorin e Maqedonisë, Ilia Strazhevski, pas notës së protestës së Shkupit ndaj qëndrimeve të autoriteteve të Prishtinës lidhur me zhvillimet e fundit në Maqedoni.

Të enjten, ministria e jashtme e Maqedonisë thirri ambasadorët e Kosovës dhe Shqipërisë për t’u kumtuar atyre se “pozicionet e interpretimet që vënë në dyshim funksionimin e shtetit ligjor dhe organeve të pavarura të Republikës së Maqedonisë nuk kontribuojnë në zhvillimin e marrëdhënieve konstruktive, pozitive dhe miqësore ndër fqinjësore”.

Në një komunikatë të ministrisë maqedonase thuhej se qëndrimet e shprehura të Tiranës dhe Prishtinës janë “ndërhyrje në punët e brendshme të Maqedonisë”.

Prishtina zyrtare kërkoi më herët gjatë javës që në Maqedoni të zbatohet në tërësi marrëveshja e Ohrit, e vitit 2001 e cila i dha fund atëbotë konfliktit të armatosur ndërmjet forcave qeveritare maqedonase dhe kryengritësve shqiptarë.

Ambasadorit të Kosovës, Ylber Hysa i është dorëzuar edhe një notë proteste për djegien e flamurit maqedonas në Prishtinë, gjatë një proteste të grupeve të qytetarëve të Kosovës në mbështetje të shqiptarëve të Maqedonisë. Në notën thuhet se djegia e flamurit “ka prekur dinjitetin e Maqedonisë”, ndërsa është kërkuar që Kosova të marrë masa për të gjetur dhe dënuar autorët

Të premten ministria e jashtme e Kosovës ka kërkuar shpjegime për notat e protestës. Ndonëse nuk është dhënë ndonjë shpjegim zyrtar, Kohavisioni citon zyrtarët e ministrisë së jashtme të Kosovës t’i kenë thënë ambasadorit maqedonas “se të dyja palët duhet të përmbahen nga veprimet e dhunshme në Maqedoni, pas protestave për rastin “Monstra”.

XS
SM
MD
LG