Lidhje

Kosova kërkon hetim ndërkombëtar për "rastin Kumanova"


Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, bëri thirrje të premten për një hetim ndërkombëtar pas dënimit të një dite më parë në Maqedoni të pjesëtarëve të grupit të armatosur në çështjen e njohur si rasti i Kumanovës.

Tetë policë maqedonas dhe 14 anëtarë të grupit u vranë gjatë përleshjeve më 9 dhe 10 maj të vitit 2015.

Prej 37 të akuzuarve, shumica shtetas të Kosovës, 7 u dënuan me burg të përjetshëm; 13 të tjerë me nga 40 vjet heqje lirie dhe burg, ndërsa dënimet tjera sillen nga 13 deri në 20 vjet heqje lirie. Katër nga të akuzuarit u lanë të lirë.

Grupe protestuesish u kërkuan drejtësi të premten në Prishtinë, duke kundërshtuar vendimin e gjykatës në Shkup. Mbrëmë ishte protestuar edhe në Pejë e Gjilan. Ata thonë se të akuzuarit janë viktima të një komploti të ish qeverisë maqedonase.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, kërkoi hetim ndërkombëtar në lidhje me këtë rast, duke hedhur dyshime mbi drejtësinë maqedonase.

“Kemi përcjellë me kujdes dhe vëmendje të shtuar procesin pas ngjarjeve tragjike në Kumanovë, në maj të vitit 2015 dhe dënimet e shqiptuara nga Gjykata në Shkup. Drejtësia duhet të vihet në vend, duke nisur që nga zbardhja e plotë e ngjarjes me të gjitha dimensionet e saj. Një hetim ndërkombëtar do të ndihmonte zbardhjen e plotë të së vërtetës, për të cilën mundohemi të gjithë”, thuhet në deklaratën e kryeministrit Haradinaj.

Ministria e jashtme e Kosovës ka thirrur për këshillime të brendshme ambasadorin e Kosovës në Shkup, Ylber Hysa, ndërkohë që për të njëjtën çështje e ka thirrur për sqarim ambasadorin e Maqedonisë, në Kosovë.

Përleshjet e armatosura në Kumanovë, ndonëse ende të pasqaruara kishin nxitur shumë reagime. Prishtina zyrtare që atëherë kishte bërë thirrje për një hetim të pavarur e gjithëpërfshirës, duke nënvizuar se hetimi duhet të mbështetet nga organet e drejtësisë ndërkombëtare. Prishtina ka mohuar vazhdimisht çdo mundësi që të kenë pasur njohuri për mundësinë e shpërthimit të incidenteve të tilla, ndërsa ka nënvizuar se Kosova nuk ka nxitur as mbështetur veprime kundër Maqedonisë.

Tirana zyrtare i kishte kërkuar Maqedonisë, zbatimin e marrëveshjes së Ohrit, një marrëveshje e ndërmjetësuar nga komuniteti ndërkombëtar, që i dha fund luftës së vitit 2001 ndërmjet forcave qeveritare dhe kryengritësve shqiptarë që luftonin për më shumë të drejta në Maqedoni.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG