Lidhje

Presidenti Thaçi dekoroi historianin Sir Noel Malcolm


Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi nderoi sot historianin e njohur Sir Noel Malcolm me dekoratën ”Medalja e Artë e Lidhjes së Prizrenit”, për kontibutin në mirëkuptim mes shqiptarëve dhe kombeve të tjera në të gjitha fushat e jetës në frymën e lidhjes.

Presidenti Thaçi tha se historiani Malcolm, “ka thënë një të vërtetë të munguar për shqiptarët dhe të vërteta të shumta edhe për popujt e tjerë të rajonit. Libri për Kosovën ishte libri i shpërthimit dhe ndërgjegjësimit të diplomacisë botërore për Kosovën, por dhe i ndikimit në kuptimin pozitiv të vendimmarrjeve të diplomacisë botërore për Kosovën”, tha presidenti Thaçi.

Ndërsa, historian Sir Noel Malcolm, pas marrje së dekoratës tha se është vetëm historian dhe nuk merret me politikë, por beson se për çdo vend, për të ardhmen e një populli, janë shumë të rëndësishme faktet dhe e vërteta historike.

Historiani Sir Noel Malcolm njihet me librin e tij “Histori e shkurtër për Kosovën”, i cili u botua në vitin 1998 dhe ishte një nga librat e paktë që tregoi historinë e Kosovës, në një kohë kur ajo nuk njihej nga vendet tjera.

Dekorata ”Medalja e Artë e Lidhjes së Prizrenit” u jepet qytetarëve të Kosovës dhe atyre të huaj, si dhe personaliteteve të botës shqiptare që kontribuojnë për mirëkuptim mes shqiptarëve dhe kombeve të tjera në të gjitha fushat e jetës në frymën e Lidhjes së Prizrenit, simbol i Kuvendit të vitit 1878 kur shqiptarët kishin hedhur themelet e lëvizjes për çlirim nga Perandoria Osmane.

XS
SM
MD
LG