Lidhje

AGK dënon kërcënimin ndaj gazetarit Gashi


Gazetari Gashi është ankuar për kërcënim nga një zyrtar shtetëror, i cili ndërkaq mohon të ketë bërë një gjë të tillë.

Në Kosovë, Asociacioni i Gazetarëve reagoi ndaj siç tha, njoftimeve për kërcënimin e gazetarit dhe publicistit Astrit Gashi, nga Drejtori i Njësisë së zbulimit financiar, Dardan Nuhiu. Sipas zotit Gashi, arsyeja e kercenimit ishte publikimi në “Gazeta Blic” të një dokumenti për transaksionet financiare të kandidatit për postin e kryeprokurorit të shtetit, Aleksandër Lumezi.

Asociacioni dënoi nëpërmjet një komunikate kërcënimin duke bërë thirrje për “përgjegjësi më të lartë nga secili zyrtar” i Kosovës.

Kërcënime të tilla si ky që ka bërë Drejtori i Inteligjencës Financiare, Dardan Nuhiu kanë qëllim direkt ngufatjen e lirisë së shprehjes dhe pengimin e kryerjes së punës nga mediet dhe gazetarët në Kosovë. Andaj, AGK-ja, kërkon nga organet kompetente që të nisin procedurat ligjore e disiplinore kundër Dardan Nuhiut, sepse, kërcënimi i një gazetari për më shumë i një publicisti siç është Astrit Gashi është i papranueshëm për shoqërinë tonë”, thuhet në reagimin e Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës.

Ndërkohë në një reagim të zotit Dardan Nuhiu, mohohet të jetë kërcënuar gazetari Gashi. Në reagim thuhet mes tjerash se ai ka biseduar me gazetarin për t’i shpjeguar se botimi i një raporti të hartuar nga Njësia e Inteligjencës Financiare që vepron në kuadër të Ministrisë së Financave, e që është klasifikuar si “i besueshëm” është i ndaluar me ligj.

Publikimi i këtij raporti në gazetën “Blic” është një shqetësim për institucionin të cilin unë e drejtoj dhe një dukuri e tillë e publikimit të raporteve konfidenciale paraqet rreziqe për sigurinë e të dhënave shtetërore të cilat janë të mbrojtura me ligj”, thuhet në reagim.

Po ashtu dëshiroj të theksoi se arsye e thirrjes së zotit Gashi në telefon ishte shqetësimi im për ruajtjen e informacioneve të mbrojtura me ligj dhe nuk kam pasur asnjë synim të ndikojë në zotinGashi e aq më pak ta kërcënoj atë”, thuhet në reagimin e zotit Nuhiu.

XS
SM
MD
LG