Lidhje

Kosovë: Pronësia mbi Trepçën – mbetet e pandryshuar

update

Qeveria e Kosovës kërkon ligj të veçantë për Trepçën. Opozita e kritikon qeverinë për nënshtrim ndaj Beogradit

Parlamenti i Kosovës miratoi me shumicë votash, por pa praninë e opozitës, ligjin për riorganizimin e ndërmarrjeve të caktuara dhe pasurisë se tyre, në mënyrë që t'i hapet rrugë riorganizimit të kompleksit të minierave Trepça.

Opozita braktisi punimet meqë qeveria hoqi nga rendi i ditës çështjen e pronësisë mbi Trepçën, ndonëse kishte paralajmëruar që nëpërmjet ligjit ta shndërrojë atë ndërmarrje publike.

Qeveria e Kosovës tha se po synon të shpëtojë Trepçën nga falimentimi i cili do të linte pa punë mijëra veta, meqë Gjykata e lartë e Kosovës vendosi javën që lamë pas, që Trepça të hyjë në procesin e likuidimit nga data dy shkurt.

Kryeministri i Kosovës Isa Mustafa tha se “qëllimi themelor i këtij ligji është që të krijohen kushte që Trepça të punojë në mënyrë normale, të përgatitet plani për organizim dhe strategjia lidhur me Trepçën. Po ashtu, si qeveri ne kemi vendosur që t’iu ofrojmë edhe ligjin për ndërmarrjet publike me të cilin ne kemi definuar organizimin e Trepçës më ligj të veçantë”, tha ai.

Kryeministri Mustafa tha se për Trepçën duhet të bëhet një ligj i veçantë dhe se ndryshimet kushtëzohen edhe nga borxhet që ka ky kompleks, që sipas vlerësimeve arrijnë në rreth një miliardë e 400 milion euro.

Paraditen e së hënës, në veriun e Kosovës janë mbajtur protesta të serbëve të cilët nuk pajtohen në ndryshimin e statusit të kompleksit Trepça. Qeveria e Serbisë tha se nuk do të pranojë asnjë vendim të qeverisë së Kosovës lidhur me kompleksin e minierave Trepça duke paralajmëruar se kjo do të rrezikonte bisedimet Kosovë – Serbi dhe mund të destabilizojë situatën e sigurisë në veriun e Kosovës.

Beogradi ngulë këmbë se pronari kryesor i Trepçës është fondi për zhvillim i Serbisë dhe se çështja e pronave duhet të jetë pjesë e bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy palëve të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian, vazhdimi i të cilave pritet më 9 shkurt.

Kryeministri i Serbisë, Aleksandër Vuçiç u tha medieve në Beograd se një fushatë e dendur diplomatike gjatë fundjavës ka ndikuar në shtyrjen e vendimit të Qeverisë së Kosovës për marrjen e Trepçës nën pronësi.

Temën e pronësisë në Bruksel nuk e kemi hapur ende dhe kërkojmë që të bisedojmë tani dhe jo që pasuria së pari të na merret brenda natës e pastaj të na thonë ejani të bisedojmë sepse i keni edhe nja dy kombinate të vogla në veri”, tha kryeministri serb.

Deputetët e opozitës në Kosovë, kritikuan qeverinë për zmbrapsje para trysnisë serbe.

Shefi i grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri, tha se veprimet e qeverisë së Kosovës paraqesin “ndryshim të kursit nga qeveria e Republikës së Kosovës për të ju përshtatur kërkesave të Qeverisë se Republikës së Serbisë duke iu nënshtruar asaj politikisht”.

Ndërsa, Donika Kadaj – Bujupi, nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, tha se deputetët e kësaj partie do të votonin vetëm ligjin për kthimin e Trepçës në ndërmarrje publike.

Të gjitha veprimet tjera që po kalkulohen në përpjekje për të evituar sjelljen e ndryshimit të këtij ligjit, në fakt janë rënie nën presion para Serbisë”, tha ajo.

Kompleksi Trepça që ndodhet në Mitrovicë është i ndarë sikurse edhe vete qyteti. Minierat ndodhen në pjesën e banuar me shumicë shqiptare, ndërsa shkritoret dhe kapacitetet tjera prodhuese në pjesën e banuar me shumicë serbe. Përfshirja e Trepçës në procesin e privatizimit është pamundësuar për shkak të pretendimeve serbe dhe shitjes së aksioneve të saj gjatë viteve të 90-ta, kur administrohej nga Beogradi.

Dikur Trepça ishte gjigant ekonomik i Kosovës dhe një prej ndërmarrjeve më të mëdha të ish-Jugosllavisë në vitet e tetëdhjeta ku punonin mbi 20 mijë punëtorë.

Ndonëse të dyja palët thonë se Trepça ka rëndësi të madhe për zhvillimin ekonomik, ekspertët thonë se duhen investime shumë të mëdha për të mundësuar shfrytëzimin e rezervave kryesisht të plumbit e zinkut me vlerë që llogaritet të arrijë në rreth 10 miliardë euro.

XS
SM
MD
LG