Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, emëroi të martën Rifat Latifin, kirurg i njohur që punon e jeton në Shtetet e Bashkuara, në postin e ministrit të Shëndetësisë.
Zoti Latifi tha një konferencë të përbashkët me kryeministrin Kurti se përparësi e punës së tij do të jetë ngritja e standardeve mjekësore, arsimimi, trajnimi dhe specializimi për punëtorët shëndetësorë.
Ai u zotua se për krijimin e kushteve që mjekët të mos ikin jashtë Kosovës.
“Do të ndërpresim largimin e trurit mjekësor e shkencor nga vendi. Nëse e rregullojmë shtëpinë tonë, do ta bëjmë kthimin e trurit të larguar, që të bëjmë ngritjen e standardeve mjekësore. Të gjithë ata që duan të kthehen mund të vijnë ta ndihmojnë Kosovën”, tha ai duke nënvizuar se “me ngritjen e kapaciteteve si pjesë e trupit tonë, do ta ndalojmë largimin e pacientëve nga vendi”.
Zoti Latifi, i cili ka studiuar në Universitetin të Prishtinës për të vazhduar specializimet për kirurgji të përgjithshme, traumatologji dhe reanimacion në Shtetet e Bashkuara, është profesor dhe drejtues i departamentit të Kirurgjisë në Kolegjin e Mjekësisë së Nju Jorkut.
Emërimi i zotit Latifi në postin e ministrit të Shëndetësisë u mirëprit edhe nga kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili i uroi suksese ministrit të ri “në fuqizimin e shëndetësisë në Kosovë dhe në ruajtjen e shëndetit të qytetarëve”.
Zoti Latifi do të pasojë në postin e ministrit të Shëndetësisë, ish ministrin Arben Vitia, i cili dha dorëheqje në tetor për t’i hyrë garës për postin e kryetarit të komunës së Prishtinës.
Në raundin e dytë të zgjedhjeve komunale, ai humbi përballë kandidatit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Përparim Rama.
Facebook Forum