Lidhje

Shkarkohet ministri i Bujqësisë në Kosovë


Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, shkarkoi të shtunën ministrin e Bujqësisë, Nenad Rikalo.

Në një njoftim të shpërndarë në rrjetet sociale ai shkroi se ministri Rikalo "ishte ministër i respektuar në qeverinë e Republikës së Kosovës. Bashkëpunimi me përfaqësuesit e të gjitha komuniteteve dhe përfaqësuesit e komunitetit serb, do të vazhdon palëkundur”, shkroi kryeministri Haradinaj.

Shkarkimi i tij u bë vetëm pak kohë para fillimit të seancës së parlamentit të Kosovës për miratimin e buxhetit të vitit 2019 dhe Partia Socialdemokrate në opozitë, e kishte kushtëzuar votën për buxhetin me shkarkimin e ministrit Rikalo.

Emri i ministrit Rikalo ishte përfolur për keqpërdorime në ministrinë e Bujqësisë ndërsa pak ditë pas formimit të qeverisë së Kosovës në muajin shtator të vitit 2017, disa qytetarë të një lagjeje të Prishtinës, u thanë medieve se Nenad Rikalo, ka keqtrajtuar e torturuar qytetarët shqiptarë dhe gjatë luftës ishte pjesë e forcave të armatosura serbe.

Çështja kishte nxitur debate edhe në parlamentin e Kosovës ku opozita kërkoi shkarkimin e tij.

Vet ministri Rikalo kishte mohuar çdo përfshirje në krime lufte. Derisa mori postin e ministrit në qeverinë e Kosovës, ai kishte shërbyer për rreth katër vjet si anëtar i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Në nëntor të vitit 2017, prokuroria në Kosovë tha se nuk kishte prova për përfshirjen e mundshme të ministrit Rikalo, në krime lufte.

Nenad Rikalo është pjesë e subjektit politik Lista Serbe, e cila ka 9 deputetë në parlamentin e Kosovës dhe drejton tri ministri në qeverinë e saj.

Lista Serbe u themelua në vitin 2013 dhe është subjekti kryesor politik i serbëve të Kosovës që gëzon mbështetjen e Beogradit.

Që nga muaji mars i vitit 2018, ky subjekt ka deklaruar se është hedhur në opozitë, pas arrestimit dhe dëbimit të zyrtarit serb Marko Gjuriç.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG