Lidhje

Kosovë: Presidentja Jahjaga dënon aktet e dhunës në Mitrovicë


Presidentja e Kosovës dënoi ashpër incidentet e dhunshme në veriun e Mitrovicës, një zonë e banuar me shumicë serbe.

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga dënon ashpër aktet e dhunës që ndodhën në 24 orët e fundit në Mitrovicë ku në tri incidente të ndara janë lënduar 5 qytetarë, dy shqiptarë, dy boshnjakë dhe një pjesëtar i komunitetit serb.

Në një reagim, presidentja Jahjaga thekson se “incidentet e tilla janë të papranueshme, në një kohë që institucionet e Republikës së Kosovës po angazhohen për ruajtjen e stabilitetit dhe fuqizimin e sundimit të rendit dhe të ligjit në gjithë vendin dhe kur vendi ynë po dëshmohet si promovues i paqes dhe i stabilitetit në gjithë rajonin e Evropës Juglindore”.

Ajo u bën thirrje të gjithë qytetarëve të Mitrovicës që të përmbahen nga aktet e tilla të dhunës dhe të dëshmojnë pjekuri qytetare dhe politike. Ajo vlerëson se “këto veprime nuk i kontribuojnë rikthimit të mirëbesimit ndërmjet komuniteteve që jetojnë në Mitrovicë si dhe dëmtojnë përpjekjet shumëvjeçare të institucioneve të Republikës së Kosovës dhe të miqve ndërkombëtarë për ndërtimin e një të ardhmeje më të mirë për të gjithë qytetarët pa dallim”.

Auoritetet e policisë thanë se janë duke hetuar rrethanat në të cilat një i ri i komunitetit serb u plagos në një incident të pasqaruar, në veri të Mitrovicës.

Policia tha se nuk dihen autorët e as motivet e mundshme të incidentit dhe se aktualisht po mblidhen dëshmitë nga dëshmitarët e rastit dhe nga kamerat e sigurisë. Incidenti, thuhet se ka ndodhur mbrëmjen e së enjtes në cepin verior të urës kryesore mbi lumin Ibër, që shënon edhe vijën ndarëse të qytetit, në veriun e banuar me shumicë serbe dhe jugun me shumicë shqiptare.

Autoritetet lokale serbe thanë se disa persona e kanë kaluar urën qendrore mbi lumin Ibër nga pjesa jugore në atë veriore dhe e kanë kryer sulmin. I plagosuri po trajtohet në spitalin e qytetit ne veri dhe është jashtë rrezikut për jetë.

Drejtoria rajonale e policisë në veriun e Kosovës, bëri të ditur se janë pezulluar tre policë që ishin në detyrë në kohën kur ka ndodhur incidenti dhe tashmë po hetohen “përgjegjësia e mundshme dhe lëshimet e tyre”.

Ndërkohë, policia e cila tha se ka shtuar praninë e saj në zonë, Megjithatë, dy shqiptarë janë rrahur nga grupe serbësh, duket në shenjë hakmarrjeje për incidentin e mëhershëm. Po ashtu dy pjesëtarë të komunitetit boshnjak janë rrahur në veriun e Mitrovicës, një zonë e banuar me shumicë serbe.

Edhe përfaqësuesi i posaçëm i Bashkimit Evropian, Samuel Zbogar tha të premten se “dhuna është e papranueshme dhe i dëmton përpjekjet për normalizimin e gjendjes në Mitrovicë dhe pajtimin mes komuniteteve”.

XS
SM
MD
LG