Lidhje

Mustafa: Muri në Mitrovicë do të trajtohet sipas ligjeve, jo me forcë


Muri i ngritur në veri të urës në Mitrovicë

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa tha sot se çështja e ndërtimit të murit në pjesën veriore të Mitrovicës, do të trajtohet sipas ligjeve në fuqi dhe jo me forcë.

Ai i bëri këto komente pas reagimeve që nxiti ngritja e një muri në pjesën veriore në afërsi të urës kryesore mbi lumin Ibër. Autoritetet lokale serbe në veriun e Mitrovicës thanë se muri është është pjesë e një projekti për ndërtimin e një shëtitoreje.

Por, nga shqiptarët ai shihet si një pengesë e re që bie ndesh me marrëveshjen për liri të lëvizjes në qytetin e ndarë në dy pjesë, në veriun me shumicë shqiptare dhe jugun me shumicë serbe.

Kryeministri Mustafa tha se çështja e murit po trajtohet nga inspektorati i ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor dhe se sipas tij nuk do të ndërmerren hapa të ngutshëm për këtë çështje.

“Ne nuk do ta vendosim gjoksin dhe as nuk do t’i tregojmë muskujt sepse gjoksin dhe muskujt i vendos ligji dhe ne do të vijmë në situatë që të respektojmë ligjin dhe ata duhet ta respektojnë në këtë aspekt. Ministria e Mjedisit është duke vepruar me inspektoratin e vet atje që të konstatoj gjendjen. Ministrja për Dialog gjithashtu ka kontakte me Bashkimin Evropian në mënyrë që të vërtetohet se a është në harmoni me projektin që Bashkimi Evropian e realizon atje sepse është projekt i tyre prandaj në këtë rast gjithçka do të shkoj sipas ligjit”,tha kryeministri Mustafa.

Marrëveshja për lëvizje të lirë që është arritur ndërmjet Kosovës dhe Serbisë me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian bëri të mundur që në gusht të këtij viti të fillojnë punimet për zhbllokimin e urës. Bashkimi Evropian ka investuar 1.2 milion euro për revitalizimin e urës që duhet të përfundoj në muajin e ardhshëm.

Por, ngritja e murit është kundërshtuar ashpër nga institucionet e Kosovës dhe partitë politike që sipas tyre është në kundërshtim me marrëveshjen.

Ura qendrore mbi lumen Ibër ishte mbajtur mbyllur nga serbët lokal që nga muaji korrik i vitit 2011 në shenjë kundërshtimi ndaj ndërhyrjes së forcave të posaçme të policisë së Kosovës për të vënë nën kontroll vendkalimet kufitare ndërmjet Kosovës e Serbisë në veri.

Rihapja e urës dhe rindërtimi i saj ndodh në një periudhë të shtimit të trysnisë ndaj Beogradit për të zbatuar në terren marrëveshjet e arritura në bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës e Serbisë me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

XS
SM
MD
LG