Lidhje

Mali i Zi i gatshëm të diskutojë për kufirin me Kosovën.


Qeveria e Malit të Zi, është shprehur e gatshme të debatojë çështjen e kufirit me Kosovën që çoi në mospajtime të thella ndërmjet qeverisë së Kosovës dhe partive opozitare.

Në një njoftim të qeverisë malazeze thuhet se me marrëveshjen për shënimin e kufirit ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi janë “zyrtarizuar kufijtë administrativë në harmoni me Kushtetutën e ish-Jugosllavisë të vitit 1974”.

Por, thuhet në njoftim, “nëse ekziston dyshimi se nuk është vepruar kështu dhe se është bërë gabim, jemi të gatshëm që këtë ta shqyrtojmë, sepse nuk dëshirojmë çfarëdo mospajtimesh me fqinjët, duke pasur parasysh interesat shtetërore dhe kombëtare të Malit të Zi”.

Në njoftim thuhet se ky qëndrim i kryeministrit të Malit të Zi, Milo Gjukanoviç, i është transmetuar kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa, dhe zyrtarëve të tjerë të Kosovës.

Qeveria e Malit të Zi thotë se “mospajtimet në Prishtinë për marrëveshjen për kufirin shtetëror me Malin e Zi, konsiderojmë se janë çështje e brendshme e Kosovës”.

Marrëveshja për kufirin ishte nënshkruar në fund të muajit gusht, një ditë para se Kosovë dhe Serbia të merreshin vesh për krijimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Duke kundërshtuar këto marrëveshje, të cilat i cilësojnë si të dëmshme për sovranitetin dhe tërësinë tokësore të Kosovës, partitë opozitare bllokuan punën e parlamentit që nga 22 shtatori, duke hedhur gaz lotsjellës.

Ato i kërkojnë qeverisë të anulojë marrëveshjet apo t’i hedh ato në referendum, në të kundërtën sipas tyre vendi duhet të shkojë në zgjedhje të parakohshme.

Partitë opozitare refuzuan një kërkesë të kryeministrit Isa Mustafa për t’u ulur në tryezën e bisedimeve.

Kryeministri u ka bërë thirrje partive opozitare që të hapin dialogun, ndërsa është zotuar se do të pres dhe do të respektojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese, lidhur marrëveshjen për asociacionin e komunave me shumicë serbe, zbatimi i së cilës është pezulluar në pritje të këtij vendimi. Ai po ashtu tha se qeveria është e gatshme që duke përfshirë edhe ekspertë ndërkombëtarë, të diskutojë lidhur me shënimin e vijës kufitare më Malin e Zi.

Kriza politike bëri që edhe sekretari amerikan i shtetit John Kerry të bëjë thirrje kundër dhunës në parlament. Gjatë vizitës së të mërkurës në Prishtinë ai tha se Shtetet e Bashkuara nuk do të mbështesnin asnjë marrëveshje “që do të kërcënonte sovranitetin, sigurinë apo pavarësinë e Kosovës.

Marrëveshjet me Serbinë që çuan në shtim të tensioneve politike në Kosovë, ishin pjesë e bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet të dyja palëve që janë edhe kusht për afrimin e tyre me strukturat evropiane. Ato i siguruan Serbisë negociatat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, të cilat pritet të hapen javën që vjen, ndërsa Kosovës Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit, e cila u nënshkrua me 27 tetor.

XS
SM
MD
LG