Lidhje

Komisioni për matjen e territorit të Kosovës fillon punën


Autoritetet në Kosovë thanë të martën se miratimi i marrëveshjes për shënimin e kufirit me Malin e Zi, është e rëndësishme për vendin dhe në interes të qytetarëve të Kosovës. Këto komente u bënë në fillim të punës së Komisionit të ekspertëve për matjen e territorit të Kosovës, një nismë kjo e qeverisë, për siç thuhet, qartësimin edhe më tej të marrëveshjes së arritur me malin e Zi për shënimin e kufirit.

Autoritetet në Kosovë nuk po mund të sigurojnë votat e mjaftueshme për këtë çështje ndërsa janë vënë në përpjekje që të sigurojnë mbështetjen e opozitës, e cila nuk pajtohet me marrëveshjen e nënshkruar në fund të gushtit të vitit 2015 në Vjenë, meqë sipas saj, ajo lë jashtë territorit të Kosovës mbi tetë mijë hektarë tokë.

Ndërsa, qeveria ka kërkuar të bisedojë më opozitën, por ngulë këmbë se vendi nuk humbë me marrëveshjen që tashmë është ratifikuar nga parlamenti i Malit të Zi.

Kryeministri i Kosovës Isa Mustafa tha të martën se qeveria e tij nuk do të ndikojë te ekspertët për punën e tyre.

“Unë konsideroj se është një ndërmarrje shumë e rëndësishme për ne, sepse edhe qytetarët e Republikës së Kosovës janë të interesuar që të dinë saktësisht se sa është territori i Republikës së Kosovës për arsye të shumë diskutimeve dhe kontesteve që janë zhvilluar në këtë aspekt, por edhe bashkësia ndërkombëtare duhet ta dijë se cili është territori i Republikës së Kosovës. Prandaj, është mirë që mos të krijohet ndonjë konfuzion dhe të sqarojmë gjërat, është mirë edhe për ata që kanë pasur mendime të ndryshme, edhe për të gjithë qytetarët që të sqarohen”, tha kryeministri Mustafa.

Por, partitë opozitare e bojkotuan takimin e Komisionit të ekspertëve për matjen e territorit të vendit, pasi që sipas tyre kjo është edhe një nismë e institucioneve për të arsyetuar gabimet e tyre.

Mbështetësit e qëndrimeve opozitare thonë se matja e territorit nuk mund të bëhet pasi që Kosova, thonë ata, ende nuk i ka përmbyllur këto çështje me Malin e Zi dhe Serbinë.

Çështja e shënimit të kufirit me Malin e Zi dhe marrëveshja e arritur në bisedimet me Serbinë për krijimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe kanë krijuar ndarje të thella dhe krizë politike në Kosovë.

XS
SM
MD
LG