Lidhje

Gjukanoviç: Shënimi i kufirit - problem i brendshëm i Kosovës


Kryeministri i Malit të Zi, Milo Gjukanoviç, tha të martën se mospajtimet në Kosovë lidhur me shënimin e kufirit ndërmjet të dyja vendeve janë cështje e brendshme e Kosovës dhe pret që ajo të zgjidhet nëpërmjet dialogut të brendshëm të saj.

Ai i bëri këto komente gjatë një vizite në Ulqin, ku është takuar me zyrtarët vendor të kësaj komune bregdetare në Mal të Zi e banuar me shumicë shqiptare.

Mali i Zi nuk ka pretendime për asnjë metër territor të huaj, përveç territorit të vet dhe të njëjtin qëndrim e kemi edhe ndaj Kosovës si dhe ndaj fqinjëve tjerë. Atë çka dëshiroj të ritheksoj është se me Qeverinë e Kosovës nuk kemi as edhe një mosmarrëveshje më të vogël rreth çështjes se demarkacionit”, tha ai.

Kryeministri malazez tha se për këtë çështje ka biseduar disa herë me presidentin e Kosovës, me qeverinë dhe kryeministrin e Kosovës dhe se “midis tyre nuk ka pasur asnjë dallim mbi këtë çështje”.

Kjo çështje, tha ai, paraqitet si problem i brendshëm politik i Kosovës dhe duhet të zgjidhet atje.

"Ne jemi të gatshëm të presim që kjo çështje të zgjidhet me dialogun e brendshëm politik në Kosovë”, tha kryeministri Gjukanoviç.

Më 26 gusht të vitit 2015, Kosova dhe Mali i Zi nënshkruan në Vjenë marrëveshjen për shënimin e kufirit ndërmjet tyre. Ndërsa Mali i Zi e ka ratifikuar marrëveshjen, në Kosovë ajo nxiti mospajtime të thella që çuan në krizë politike.

Më 1 shtator qeveria e Kosovës tërhoqi nga seanca e parlamentit projektligjin për këtë çështje.

Opozita pohon se marrëveshja e dëmton Kosovën për mbi 8 mijë hektarë tokë dhe nuk ka hequr dorë nga kundërshtimi i saj, me gjithë vlerësimet edhe ndërkombëtare se shënimi i kufirit është në pajtim më dokumentet në fuqi, përfshirë edhe planin në bazë të të cilit është shpallur pavarësia e Kosovës.

Ratifikimi i marrëveshjes kërkon dy të tretat e votave në parlamentin e Kosovës dhe partitë në pushtet nuk arritën të sigurojnë numrin e mjaftueshëm të tyre për shkak të mospjesëmarrjes në seancë të deputetëve të komunitetit serb por edhe pakënaqësive edhe në radhët e tyre.

Ratifikimi i marrëveshjes është kusht që Kosova duhet ta përmbushë para se të përfshihet në regjimin e udhëtimit pa viza në Bashkimin Evropian.

XS
SM
MD
LG