Lidhje

Policia heton rrëzimin e shtatores së Nënë Terezës në Mitrovicë


Autoritetet thanë se shtatorja mund të jetë rrëzuar për shkak të bazamentit të dobët, por po hetojnë edhe mundësinë që të jetë rrëzuar qëllimshëm.

Në Kosovë, policia tha se është duke hetuar rrethanat dhe shkaqet e rrëzimit të shtatores së humanistes shqiptare Nënë Tereza në Mitrovicë. Gjatë fundjavës, shtatorja që ndodhet në qendër të pjesës jugore të këtij qyteti, u gjet e rrëzuar.

Policia tha se dyshimet e para flasin për mundësinë e rrëzimit të shtatores për shkak të bazamentit të dobët dhe këputjes së bulonave mbajtës, por nuk ka përjashtuar as mundësinë që ajo të jetë rrëzuar qëllimshëm.

Autoritetet komunale që rivendosën shtatoren mendojnë që ajo është rrëzuar vetvetiu dhe u zotuan për renovim dhe forcim të bazamentit. Shtatorja ka pësuar dëme të lehta.

Në pritje të hetimeve, përfaqësues të shoqërisë civile në Mitrovicë, thanë se rrëzimi i shtatores, nëse është bërë me qëllim, do të mund të ndikonte në marrëdhëniet e mira ndërfetare e ndërkulturore.

Ndërkaq, përfaqësuesi i Kishës Katolike Dom Lush Gjergji, i cili drejton edhe shoqatën humanitare me emrin e Nënë Terezës bëri thirrje që ky rast të mos shfrytëzohet për përçarje në shoqëri. Ai bëri thirrje po ashtu që të priten përfundimet e hetimeve të policisë para se të sillen çfarëdo përfundimesh.

Shtatorja e Nënë Terezës në Mitrovicë ishte ngritur që në vitin 1999, ndërsa shtatorë të ngjashme janë ngritur edhe në shumë qytete të Kosovës.

Anjezë Gonxhe Bojaxhiu, që u bë më pastaj në gjithë botën e njohur si Nënë Tereza, u lind në Shkup më 26 gusht të vitit 1910 në një familje me prejardhje nga Prizreni. Më 1979 ajo mori çmimin Nobël për Paqe. Nënë Tereza vdiq më 5 shtator 1997 në Kalkuta të Indisë. Në vitin 2003, i ndjeri Papa Gjon Pali i dytë e shpalli atë të lume, një hap drejt shenjtërimit të saj.
XS
SM
MD
LG