Lidhje

Kosovë: Humb jetën një deputet


Deputeti serb i parlamentit të Kosovës, Velimir Rakiç, ka humbur jetën në një aksident trafiku.

Deputeti serb në Parlamentin e Kosovës, Velimir Rakiç, ka humbur jetën të mërkurën në mbrëmje në një aksident trafiku në afërsi të komunës së së Leposaviqit, një nga katër komunat me shumicë serbe në veriun e Kosovës.

Policia tha se makina me të cilën po udhëtonte deputeti i ndjerë ishte përplasur me një kamion.

Deputeti Rakiç, ishte pjesë e Listës serbe, subjekti politik që fitoi nëntë nga dhjetë vendet që u takojnë partive politike serbe në Parlamentin e Kosovës.

Ajo u themelua nga Beogradi për të marrë pjesë ne zgjedhjet lokale ne vitin 2013 dhe më pastaj edhe në ato parlamentare të vitit të kaluar, pjesëmarrje që u bë e mundur me bisedimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre.

Aktualisht, kjo listë është duke bojkotuar institucionet e Kosovës në shenjë pakënaqësie me vendimin e kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa, i cili shkarkoi nga detyra ministrin për kthim dhe komunitete Aleksandër Jablanoviç, i cili nxiti reagime duke i quajtur “egërsira” protestuesit në Gjakovë, që nuk lejuan një vizitë të pelegrinëve serbë në kishën ortodokse të atij qyteti më 6 janar.

Vendimi pasoi protestat që shpërthyen në disa qytete të Kosovës, të cilat kulmuan me protestat e 27 janarit në Prishtinë, që lanë pas vetes dhjetëra të lënduar dhe shumë dëme materiale.

Duke mos u pajtuar me këtë vendim lista serbe braktisi qeverinë dhe parlamentin, ndërsa akuzoi partitë shqiptarë se nuk po përmbushin marrëveshjen për koalicionin qeveritar në të cilën ishin përfshirë krijimi i asociacionit të komunave me shumicë serbe, çështjet e privatizimit, të pronës së kishës ortodokse etj.

XS
SM
MD
LG