Lidhje

Të mërkurën hapen dyqanet në veriun e Kosovës


Shoqata e afaristëve serbë në veriun e Kosovës, tha se të mërkurën do të rihapen dyqanet që qëndruan të mbyllura për dy ditë në atë zonë.

Mbyllja e dyqaneve ishte pjesë e protestës ndaj tarifave prej 100 për qind, që qeveria e Kosovës u vuri mallrave serbe në nëntor të vitit të kaluar, në shenjë kundërvënieje ndaj siç është thënë, fushatës agresive të Serbisë ndaj shtetësisë së Kosovës.

Në një njoftim të shoqatës së afaristëve serbë thuhet se “protesta paralajmëruese dëshmoi fuqinë, bashkimin dhe gatishmërinë për luftën e serbëve në veriun e Kosovës. Dëshmuam fuqinë dhe bashkimin që nuk mund të na thyejnë dhe nuk do të durojmë që të qëllojnë dhe të sulmojnë ata që bëjnë furnizimin me mallra jetike”, thuhet në njoftim në të cilin theksohet se çdo përpjekje e mëtejshme e Prishtinës do të përballet me përgjigje edem ë të fuqishme.

“I bëjmë thirrje bashkësisë ndërkombëtare që përfundimisht të kuptojr situatën dramatike dhe të reagojë për të qetësuar Prishtinën, para se të ndodhë ndonjë incident që mund t’i sjellë hesapet në pikën pa kthim”, thuhet në njoftim.

Autoritetet në Serbi dhe përfaqësuesit lokal serb në veriun e Kosovës, thonë se tarifat dhe operacionet e policisë së Kosovës për të mbyllur rrugët alternative përtej vendkalimeve kufitare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, kanë bërë që të mungojnë mallrat themelore siç janë mielli dhe prodhimet e qumështit dhe se veriu është në “prag të krizës humanitare”.

Qeveria e Kosovës shpërndau kamionë me mallra në veri për të mbushur boshllëkun e krijuar nga protesta, por përfaqësuesit e serbëve thanë se askush nuk ka blerë prej tyre. Mediet në veri, ditë më parë kishin publikuar nje urdhëresë të organizatës së afaristëve serbë” që bënte thirrje që askush të mos blejë në dyqanet në pjesën jugore të Mitrovicës të banuar me shumicë shqiptare, e madje as në lagjen e boshnjakëve që është me popullsi të përzier në veri.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj tha të martën se qeveria do të mbështesë dhe mbrojë qytetarët e saj në veri. Ai është takuar me ambasadorët e shteteve kryesore euro-perëndimore dhe shefen e zyrës së Bashkimit Evropian në Prishtinë, Nataliya Apostolova, sic tha për t’i informuar për angazhimin e qeverisë për sundim të ligjit dhe rendit në veri, si dhe për veprimet e ndërmarra për furnizim të qytetarëve të asaj ane me artikuj të nevojshëm”.

Në një postim në rrjetin twiter ai i bëri thirrje presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, që “të mos e zbatojë skenarin mashtrues për të destabilizuar veriun e Kosovës. Kriza e rreme ‘humanitare’, nuk do të shërbejë kurrë si mburojë për qëllimet tuaja të destabilizimit, dhe ju do të mbaheni përgjegjës”, shkroi ai.

Para tarifave, Serbia eksportonte në Kosovë rreth 500 milionë euro në vit dhe autoritetet në Serbi janë ankuar për humbje të mëdha të kompanive serbe që nga nëntori i vitit të kaluar.

Beogradi akuzon Prishtinën se ka bllokuar procesin e bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve me tarifat duke kërkuar heqjen e menjëhershme të tyre, ndërsa Prishtina akuzon Beogradin për kushtëzim bisedimesh.

Qëndrimet e pandryshuara të palëve bënë që të dështojë edhe një nismë e kancelares gjermane Angela Merkel dhe presidentit francez Emanuel Macron, për një takim në Paris që ishte për planifikuar për sot më 1 korrik.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG