Lidhje

Avokati i Popullit, sqarim nga Gjykata Kushtetuese


Avokati i Popullit kërkon që Gjykata të shpjegojë nëse ishte në pajtim me kushtetutën vazhdimi i mandatit të tre anëtarëve të saj nga presidentja e Kosovës

Në Kosovë, Avokati i Popullit, i kërkoi të enjten Gjykatës Kushtetuese sqarime lidhur me dekretin e presidentes së Kosovës, “për konfirmimin e vazhdimit të mandatit të gjyqtarëve ndërkombëtarë në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës”.

Në kërkesën e cila pritet të shpjegohet më hollësisht të premten, avokati i popullit kërkohet shpjegim nëse “mund të justifikohet ky devijim prej Kushtetutës në bazë të marrëveshjes ndërkombëtare ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian, të ratifikuar me datë 23 prill 2014 dhe ligjeve të tjera në fuqi në Republikën e Kosovës?”

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, më 31 gusht 2014, ka dekretuar vazhdimin e mandatit të gjyqtarëve ndërkombëtarë në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës.

Dekretimi është bërë duke u bazuar në marrëveshjen e ratifikuar në Parlamentin e Kosovës, pas letërkëmbimit të presidentes me përfaqësuesen e lartë të Bashkimit Evropian për politikë të jashtme dhe siguri, Catherine Ashton, për zgjatjen e mandatit të EULEX-it dhe krijimin e gjykatës që do të merret me trajtimin e pretendimeve të ngritura në raportin e të dërguarit të Këshillit të Evropës Dick Marty.

Letërkëmbimi u miratua më 23 prill më votat e 89 deputetëve të parlamentit të Kosovës.

Vazhdimi i mandatit të gjykatësve ndërkombëtarë nga presidentja pasoi bllokadën politike për shkak të mosmarrëveshjeve për formimin e institucioneve të reja të dala nga zgjedhjet parlamentare të tetë qershorit.

Gjykata Kushtetuese e Kosovës përbëhet nga nëntë gjykatës që miratohen nga Parlamenti i Kosovës.

XS
SM
MD
LG