Lidhje

Serbia zyrtarisht në krye të OSBE-së


Serbia, nga sot zyrtarisht merr përsipër kryesimin njëvjeçar të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë.SHBA kërkon më shumë përfshirje të Kosovës në institucionet e OSBE-së

Në konferencën e sotme të Këshillit të Përhershëm të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim Evropian në Vjenë, Serbia edhe zyrtarisht merr përsipër kryesimin një vjeçar të kësaj organizate.

Ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiç, ka deklaruar se Serbia do të bëjë përpjekje që të jetë kryesuese serioze, e cila gëzon besimin e të gjitha palëve, si dhe do të ndërmarrë hapa për shtendosjen e konflikteve.

Lufta kundër terrorizmit, menaxhimi i ujërave dhe të drejtat e njeriut, pritet të jenë çështjet parësore të punës së kësaj organizate gjatë vitit 2015.

Por, analistët thonë se Organizata për Siguri e Bashkëpunim në Evropë do të përballet me debate të ashpra e sfida edhe në lidhje me konfliktin në Ukrainë dhe rolin e Rusisë në situatën e atjeshme.

Ndonëse nuk është anëtare e kësaj organizate. Kosova ka një prani të vazhdueshme të OSBE-së që nga përfundimi i luftës.

Ajo nuk pret ndonjë ndryshim të madh në qasjen e OSBE-së gjatë kryesimit të saj nga Serbia, pavarësisht deklarimeve të disa politikanëve serbë se edhe kjo pozitë do të shfrytëzohet për të penguar avancimin e shtetësisë së Kosovës.

Në konferencën e sotme në Vjenë, ambasadori amerikan në OSBE, Daniel Baer, tha se Kosova duhet të përfshihet në debatet e kësaj organizate.

Në Këshillin e përhershëm të OSBE-së, nuk duhet vetëm të debatohet për Kosovën por edhe me Kosovën. Kosova është pjesë e Evropës dhe duhet të luaj rol të rëndësishëm në institucionet që janë të përkushtuara ndaj paqes dhe përparimit në kontinent”, tha ambasadori Baer.

Ndërkaq, ministri i jashtëm serb, Ivic Daçiç, tha se nuk ka asnjë gjasë që Kosova të jenë anëtare e OSBE-së. Kërkesa të tilla gjatë tërë vitit të kaluar dhe vitit paraprak ka bërë vazhdimisht Shqipëria, tha ai.

Kur është fjala për OSBE-në, vendimet merren me konsensus, i cili është shumë i vështirë”, tha ai duke nënvizuar se për dy ditë me radhë janë bërë përpjekje për harmonizimin e një deklarate që dënon sulmet e javës së kaluar në Paris.

Ai tha se OSBE i ka 57 anëtare dhe për këtë arsye nuk ka gjasa që Kosova të pranohet në të, përveç nëse arrihet ndonjë marrëveshje politike, vendi i së cilës, sipas tij, nuk është në Vjenë.

Bisedimet me Prishtinën ndodhin në Bruksel. Nuk vjen në shprehje që Serbia të mbështesë apo të lejojë Kosovën të jetë anëtare e barabartë në OSBE, sepse statusi i saj ende nuk është zgjidhur”, tha ai.

Serbia vazhdon të kundërshtojë pavarësinë e Kosovës, por është përfshirë në një proces bisedimesh për normalizimin e marrëdhënieve në përpjekje për të përshpejtuar integrimet evropiane.

XS
SM
MD
LG