Lidhje

Parlamenti i Kosovës mblidhet më 3 gusht


Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, vendosi të hënën që mbledhja e parë e parlamentit të Kosovës, i dalë nga zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 11 qershorit, të mbahet më 3 gusht.

Parlamenti i Kosovës mblidhet më 3 gusht
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:25 0:00

Vendimi i tij pasoi një mbledhje të ftuar prej tij me subjektet politike që kanë fituar vende në parlamentin e Kosovës, së cilës i ishte përgjigjur vetëm koalicioni i Partisë Demokratike të Kosovës, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nismës për Kosovën.

Takimi u refuzua nga lëvizja Vetëvendosje dhe koalicioni i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Aleancës Kosova e Re dhe Alternativës, por edhe nga Lista Serbe. Këto e kishin cilësuar takimin të panevojshëm, meqë është në përgjegjësinë e presidentit që të thërras mbledhjen e parë të parlamentit.

Ato e kishin cilësuar zvarritjen e mbledhjes si favorizim të koalicionit që doli i pari në zgjedhje, por pa numrin e mjaftueshëm të votave për të themeluar i vetëm qeverinë.

Presidenti Thaçi, tha në një intervistë për Zërin e Amerikës në fund të javës së kaluar se takimin e kishte thirrur në përpjekje për të nxitur partitë politike që "të gjejnë formulën që Kosovës i jep një qeveri të qëndrueshme, funksionale dhe efektive dhe që merr vendime që e çojnë vendin përpara dhe jo që e izolon vendin".

Ai tha në intervistë se "njerëzit të cilët kanë përdorur dhe që përdorin dhunë për realizimin e qëllimeve politike, nuk do të mund të jenë bartës të institucioneve të Kosovës".

Që nga certifikimi i rezultateve partitë politike janë përqendruar në diskutimet për koalicionet paszgjedhore.

Sipas kushtetutës, kandidati i koalicioni të Partisë Demokratike, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nismës për Kosovën, Ramush Haradinaj,që doli i pari në zgjedhje ka të drejtën që të provojë të formojë qeverinë.

Por ky koalicion ka 39 vende në parlament dhe bashkë me deputetët e pakicave kombëtare arrin në 59 vota, dy më pak se sa votat e nevojshme për krijimin e qeverisë. Zyrtarë të këtij koalicioni pohojnë të kenë siguruar votat e mjaftueshme, ndonëse sipas tyre synimi është për të krijuar një qeveri me bazë sa më të gjerë dhe për këtë u ka bërë ftesë subjekteve tjera për lidhjen e koalicionit.

Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës kanë refuzuar ftesën e zotit Haradinaj për bisedime për krijimin e qeverisë duke theksuar se po presin që koalicioni i tij të dështojë për të provuar themelimin e qeverisë në herën e dytë.

Sipas kushtetutës presidenti i vendit i propozon parlamentit kandidatin për kryeministër nga radhët e koalicionit fitues. Nëse kabineti i propozuar prej tij nuk siguron votat e mjaftueshme, përkatësisht së paku 61 vota, atëherë presidenti brenda dhjetë ditësh emëron kandidatin tjetër dhe nëse as herën e dytë nuk formohet qeveria, atëherë presidenti i shpall zgjedhjet e jashtëzakonshme, të cilat duhet të mbahen jo më vonë se dyzet ditë nga dita e shpalljes së tyre.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG