Lidhje

Kosovë: Kërkohet pezullimi i bisedimeve me Serbinë deri në lirimin e Haradinajt


Parlamenti i Kosovës miratoi të enjten një rezolutë me të cilën kërkohet pezullimi i bisedimeve me Serbinë, deri në lirimin e ish kryeministrit Ramush Haradinajt, i cili po mbahet në France në pritje të shqyrtimit të një kërkese të Serbisë për ekstradimin e tij.

Rezoluta e propozuar nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, mori 78 vota të deputetëve të pranishëm në një seancë që po mbahet ne Prishtinë.

Në tekstin e rezolutës kërkohet që "lirimi i pakusht i Ramush Haradinajt të ndodh sa më shpejt dhe të konsiderohet detyre primare shtetërore. Pezullimi i dialogut me Serbinë deri në lirimin e zotit Haradinaj".

Rezoluta i bën thirrje qeverisë së Kosovës që të kërkojë nga Bashkimi Evropian pastrimin e listave të urdhër arresteve të lëshuara nga Serbia për qytetarët e Kosovës si dhe t’i informojë të gjitha instancat ndërkombëtare se "refuzon juridiksionin universal të Serbisë për krimet e pretenduara në territorin e ish-Jugosllavisë, dhe konform kësaj të kërkohet edhe lirimi i ish-kryeministrit Haradinaj".

Me 2 mars një gjykatë në qytetin Colmar të Francës lindore, vendosi që të shtyjë për datën 6 prill vendimin lidhur me kërkesën e autoriteteve serbe për ekstradimin e ish kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj.

Beogradi pretendon se ka ofruar prova të reja që, siç thuhet, nuk janë paraqitur gjatë gjykimit të tij në Hagë, ku zoti Haradinaj është shpallur dy herë i pafajshëm.

Zoti Haradinaj u ndalua më 4 janar nga autoritetet franceze në bazë të një urdhër arresti serb. Më 12 janar gjykata e liroi zotin Haradinaj me kusht që të qëndrojë në Francë, në pritje të shqyrtimit të kërkesës serbe.

Ky është rasti i dytë që zoti Haradinaj ndalohet në bazë të një urdhër arresti serb. Në qershor të vitit 2015 ai u ndalua në Aeroportin e Lubjanës, në Slloveni, derisa po kthehej nga një vizitë zyrtare në Berlin.

Autoritetet në Kosovë kanë kërkuar disa herë nga policia ndërkombëtare, Interpol që mos merren parasysh fletarrestimet e lëshuara nga autoritetet e Serbisë, kërkesa që kishin pasuar disa raste të ndalimit nëpër aeroporte të drejtuesve të ish Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në bazë të fletarrestimeve të Beogradit.

BE-ja kundër pezullimit të bisedimeve

Zyra e shefes së politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, tha të enjten se thirrja për pezullimin e bisedimeve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit "nuk i ndihmon normalizimit të marrëdhënieve dhe nuk është në pajtim me përkushtimin e shprehur vazhdimisht nga Kosova".

Në një deklaratë të zëdhënëse së kësaj zyre, Maja Kocijançiç, thuhet se "Kosova është përkushtuar gjithnjë për bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për hir të qytetarëve të saj dhe për faktin që përparimi në bisedime është kusht për përparimin drejt rrugës evropiane. U bëjmë thirrje të gjithë udhëheqësve politik të Kosovës që të vazhdojnë angazhimin konstruktiv në bisedime, në zbatimin e marrëveshjeve të arritura deri tash dhe së këndejmi në përparimin në normalizimin e marrëdhënieve dhe ardhmërinë evropiane", thuhet në deklaratë.

XS
SM
MD
LG