Lidhje

Parlamenti i Kosovës me rezolutë për vlerat e UÇK-së


Parlamenti i Kosovës miratoi të premten një rezolutë për mbrojtjen e “vlerave të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës", pas një debati që gjatë tërë ditës së enjte i përshkua me polemika të ashpra ndërmjet deputetëve, kryesisht atyre të Partisë Demokratike dhe Lëvizjes Vetëvendosje.

Debati pasoi vërtetimin e dënimit për krime lufte të 10 ish pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të cilët në mars të vitit të kaluar u dënuan me gjithsej 65 vjet heqje lirie për krime lufte kundër civilëve shqiptarë.

Në Rezolutën e miratuar me 61 vota për, parlamenti zotohet se brenda gjashtë muajsh do të miratojë Ligjin për mbrojtjen e vlerave të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe luftës së saj për çlirim.

Në rezolutë thuhet, pos tjerash, se pjesëtarët e UÇK-së ishin faktorë vendimtar për sjelljen e lirisë dhe duhet të gëzojnë mbështetjen dhe vlerësimin e tyre të merituar institucional, në pajtim me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi.

Partia Demokratike që ishte nismëtare e debatit tha se dënimi i ish pjesëtareve të UÇK-së, “tregon një shpërfaqje të re të një qasjeje të tillë ku jo vetëm dënimi, por edhe i tërë procesi, ishte një tendencë e mohimit të vlerave sublime".

Debati ishte kundërshtuar nga organizata e shoqërisë civile dhe Këshilli Gjyqësor i Kosovës, të cilët vlerësuan se ai është ndërhyrje në drejtësi.

XS
SM
MD
LG