Lidhje

Kosovë, partitë politike nuk merren vesh për zgjedhjen e kryetarit të parlamentit


Partitë politike as sot nuk arritën të gjejnë një zgjidhje për të vazhduar seancën konstituive në të cilën do të duhej të zgjidhet kryetari i parlamentit dhe nënkryetarët e tij. Një mbledhje e thirrur për paraditen e së premtes u shty meqë ajo u bojkotua nga deputetët e koalicionit të Partisë Demokratike, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nismës për Kosovën, të cilëve u takon të propozojnë kryetarin e parlamentit.

Më pas shefat e grupeve parlamentare u mblodhën për të diskutuar datën e vazhdimit të seancës, por prapë pa marrëveshje. Koalicioni fitues kërkoi që të mërkurën të thirret edhe një takim këshillues për këtë çështje, por kjo kërkesë u kundërshtua nga partitë tjera. Megjithatë, kryesuesi i seancës, vendosi që të ketë një takim të ri të mërkurën më 9 gusht.

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës Enver Hoxhaj, hodhi propozimin për një kompromis për tejkalimin e situatës së krijuar.

“Qëndrimi i Partisë Demokratike, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nismës për Kosovën është ky: kryetari i PDK-së Kadri Veseli dje ka dal me një propozim ku ka treguar përsëri që është në gjendje të del përtej pritjeve të tij individuale që PDK mund të dal me një kandidat tjetër për kryetar të parlamentit me parakushtin e vetëm dhe të thjeshtë nëse parlamenti e voton qeverinë e zotit Haradinaj, të koalicionit i cili ka fituar zgjedhjet”, tha zoti Hoxhaj.

Por, ky propozim u kundërshtua nga lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës të cilat akuzojnë koalicionin fitues se po e zvarritë me qëllim vazhdimin e seancës konstituive. Ata hodhën poshtë idenë për një marrëveshje politike që do mundësonte votimin në pako të kryetarit të parlamentit dhe qeverisë.

Ata nuk po duan as ta ndërrojnë kandidatin e në anën tjetër po duan që të imponojnë kërkesa absurde siç ishte kjo kërkesa e Enver Hoxhajt që është njëkohësisht edhe mjaft qesharake kur të shikohet nga kuptimi politik që ja kërkon lëvizjes Vetëvendosje dhe koalicionit të Lidhjes Demokratike të Kosovës që ta votojnë Ramush Haradinaj për kryeministër. Kjo është qesharake duke e ditur pozicionin tonë politik”, tha shefi i grupit parlamentar të lëvizjes vetëvendosje, Glauk Konjufca.

Kërkesa e koalicionit PAN që është bërë publike që në të njëjtën seancë të votohet kryetari i parlamentit bashkë me qeverinë nuk ka asnjë logjikë politike dhe nuk është në përputhje me normat demokratike. Parlamenti i Kosovës është mbledhur në seancë të rregullt me ftesë të kryesuesit e thirrur në përputhje me kushtetutën, 61 deputetë kanë qenë në seancë që nënkupton se koalicioni PAN nuk e ka shumicën e nevojshme për të themeluar institucionet e vendit”, tha shefi i grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti.

Seanca konstituive shihej edhe si vendimtare për koalicionin fitues të Partisë Demokratike, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nismës për Kosovën, nëse do të mund të sigurojë votat e mjaftueshme për krijimin e qeverisë së re, një proces sfidues meqë asnjë forcë politike nuk i ka votat e mjaftueshme që ta krijojë e vetme qeverinë.

Ky koalicioni ka 39 vende në parlament dhe bashkë me deputetët e pakicave kombëtare arrin në 59 vota, dy më pak se sa votat e nevojshme për zgjedhjen e kryetarit të parlamentit dhe për krijimin e qeverisë.

Vëzhguesit thonë se tashmë Kosova ka hyrë në një krizë institucionale dhe se sipas tyre vazhdimi më tej i kësaj gjendjeje do të mund të jetë pasoja të rënda për vendin.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG