Lidhje

Kosovë: Parlamenti debaton për Gjykatën e Posaçme


Deputetët e parlamentit të Kosovës debatojnë më tone të ashpëra për procesin e themelimit të Gjykatës së Posaçme, që do të trajtojë pretendimet për krime lufte

Parlamenti i Kosovës po debaton lidhur me ndryshimin e amendamenteve kushtetuese që mundësojnë ngritjen e Gjykatës së Posaçme, që do të trajtojë pretendimet për krime lufte në Kosovë.

Ngritja e gjykatës nënkupton pikë së pari miratimin e ndryshimeve kushtetuese që mundësojnë kalimin e një pjese të përgjegjësive tek prokurorët dhe gjykatësit ndërkombëtarë që do ta udhëheqin atë. Miratimi i këtyre ndryshime kërkon dy të tretat e votave të të gjithë deputetëve dhe dy të tretat e votave të deputetëve nga radhët e komuniteteve pakicë.

Kryeministri i Kosovës Isa Mustafa u bëri thirrje deputetëve të Parlamentit që të votojnë ndryshimet kushtetuese pasi që sipas tij kjo është detyrim i Kosovës dhe nuk e cenon sovranitetin e pushtetit gjyqësor.

Ai tha se “formimi i dhomave të posaçme do t’i shërbejë forcimit të drejtësisë, duke qenë të bindur po ashtu se dhoma e posaçme dhe zyra e prokurorit të posaçëm do të merret me zbardhjen e dyshimeve për individë të caktuar për një periudhë të caktuar kohore dhe në asnjë rast pa vënë në sprovë luftën e drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe pastërtinë e kësaj lufte si tërësi”, tha ai.

Partitë opozitare thonë se themelimi i gjykatës së Posacme e cenon sovranitetin e sistemit gjyqësor

Shefi i grupit parlamentar të lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca tha se kjo gjykatë është njëanshme dhe nuk i trajton krimet e Serbisë në Kosovë.

“Mos e votoni gjykatën e Posaçme sepse mos votimi i saj nuk do të thotë që je kundër drejtësisë. Përkundrazi ne edhe si opozitë edhe si deputetë duhet të jemi për një gjykatë tjetër, do të thotë nuk jemi kundër drejtësisë. Hajde ta krijojmë një gjykatë tjetër. Çfarë gjykate tjetër?. Një gjykatë që i trajton të gjitha krimet që kanë ndodhur në Kosovë dhe ne jemi plotësisht të gatshëm ta bëjmë këtë. Le t’i rendisim të gjitha krimet që ndodhën dhe të gjykohen ato pa asnjë përjashtim”, tha zoti Konjufca.

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës Ramush Haradinaj tha se themelimi i gjykatës së Posaçme do t’i sjellë Kosovës dëme të mëdha.

“Një gjykatë e tillë për Kosovën, pa marr parasysh se si mundohemi ta shpjegojmë, pa marr parasysh sa ja kemi inatin njëri tjetrit dhe sa kemi qejf ne ta shohim në ferr njërin prej atyre që mund të jetë subjekt i kësaj, mos harroni ferrin ja sjellë Kosovës, jo atyre njerëzve. Pse ja sjellë ferrin?. Për një kohë të gjatë Kosova do ta bëjë lajmin në mediat ndërkombëtare të monstrumit të atyre që janë monstrum. Gjithkund në botë do të trajtohet si monstrum Kosova”, tha zoti Haradinaj.

Zëvendës kryeministri i Kosovës Hashim Thaci tha se sot Kosova ndodhet para dy mundësive.

“Që të themelojë vet këtë gjykatë bashkërisht me Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe kjo çështje të përmbyllet njëherë e përgjithmonë në një periudhë të caktuar kohore tri apo pesë vite, apo në rast dështimi, kjo çështje të shkojë në Këshillin e Sigurimit dhe kjo çështje të zgjasë 10 apo 15 vite e të ngritur nga kundërshtarët e pavarësisë së Kosovës. Por, për të pastruar luftën tonë dhe për të dëshmuar që ne nuk kemi asgjë për të fshehur dhe për ta ruajtur aleancën historike dhe strategjike me partnerët tanë SHBA dhe BE-në, ne duhet të themelojmë këtë institucion të pavarur dhe ndërkombëtarë”, tha zoti Thaçi.

Në prill të vitit të kaluar parlamenti i Kosovës me 89 vota për miratoi themelimin e gjykatës së posaçme. Ideja për themelimin e saj pasoi hetimet e pretendimeve të të dërguarit të Këshillit të Evropës Dikc Marty për trafikim organesh në Kosovë, përkatësisht përfshirjen e disa prej ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në krime të luftës. Hetimet kishin nxitur reagime dhe protesta ne Kosovë, ku pohohet se në këtë mënyrë po bëhet barazimi me mizoritë e forcave serbe gjatë luftës së viteve 1998 1999.

XS
SM
MD
LG