Deputetët e partive opozitare në Kosovë, hodhën sërish të premten gaz lotsjellës në parlament për të pamundësuar fillimin e seancës së caktuar për sot.
Fillimisht gazi u hodh pranë zyrës së kryetarit të parlamentit, Kadri Veseli, ndërsa rreth orës 16 e 40 minuta sipas kohës lokale, gazi u hodh në sallën e mbledhjeve të parlamentit.
Që nga 22 shtatori, partitë opozitare po pamundësojnë mbajtjen e seancave të parlamentit në shenjë kundërshtimi ndaj marrëveshjeve të arritura në bisedimet me Serbinë në fund të muajit gusht me të cilat komunave me shumicë serbe u ofrohet një shkallë e gjerë autonomie si dhe marrëveshjes për shënimin e kufirit me Malin e Zi. Opozita hodhi edhe gaz lotsjellës në dy raste për të penguar punën e parlamentit, duke kërkuar tërheqjen e marrëveshjeve që sipas saj, e dëmtojnë shtetin e Kosovës.
Këto parti thanë sërish se nuk do të heqin dorë nga bllokimi i punës së parlamentit me gjithë thirrjet e autoriteteve vendase e ndërkombëtare që të debatojnë brenda parlamentit për të gjitha çështjet e diskutueshme.
Marrëveshjet me Serbinë që çuan në shtimin e tensioneve politike në Kosovë, ishin pjesë e bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet të dyja palëve, që është edhe kusht për afrimin e tyre me strukturat evropiane. Ato i siguruan Serbisë hapjen e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian, ndërsa Kosovës marrëveshjen e stabilizim asocimit që pritet të nënshkruhet në Strasbourg më 27 tetor.