Deputetët e lëvizjes Vetëvendosje hodhën sërish gaz lotsjellës për të penguar votimin e projektligjit për ratifikimin e marrëveshjes për shënimin e kufirit me Malin e Zi.
Hedhja e gazit po pamundëson votimin e marrëveshjes, për të cilën sipas zyrtarëve të qeverisë tashmë janë siguruar votat e mjaftueshme.
Veprimet e lëvizjes vetëvendosje u dënuan nga zyrtarët e lartë ndërkombëtarë në vend.
Ambasadori amerikan në Prishtinë Greg Delawie tha se ndjehet i zhgënjyer me veprimet në Parlamentin e Kosovës.
“Njerëzit me ide të falimentuara përdorin dhunën politike në përpjekje për të arritur qëllimet e tyre. Kjo nuk duhet të ndodhë në Kosovë. Kosova është më e mirë se kjo. Kjo nuk duhet të ndodhë në një vend evropian. Gazi lotsjellës nuk është një gjë evropiane”, tha ambasadori Delawie duke u bërë thirrje deputetëve që të kthehen dhe të votojnë marrëveshjen.
Edhe shefja e zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Natalya Apostolova dënoi hedhjen e gazit lotsjellës.
“Hedhja e gazit lotsjellës në parlament, në vendin e demokracisë së një populli është kundër parimeve të Bashkimit Evropian dhe e kthenë prapa Kosovën në rrugën e saj për zhvillimin demokratik dhe kjo me të vërtetë është e rrezikshme”, tha Apostolova.
Seanca për votimin e marrëveshjes pasoi debatin prej rreth nëntë orësh të një dite më parë, në përpjekje për t'i dhënë fund një periudhe më shumë se dy vjeçare të përplasjeve e mospajtimeve të thella ndërmjet subjekteve politike të ndara rreth rrjedhojave të kësaj marrëveshjeje.
Marrëveshja për kufirin me Malin e Zi, kishte ndarë skenën politike në vend për gati tre vjet.
E nënshkruar në fund të gushtit të vitit 2015, ajo është ratifikuar nga parlamenti i Malit të Zi, por nuk është ratifikuar nga Kosova për shkak të mospajtimeve që çuan edhe në skena të dhunshme në parlament dhe jashtë tij. Kundërshtarët e marrëveshjes pohojnë se Kosova humb mbi 8 mijë hektarë tokë.
Muajin e kaluar, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe ai i Malit të Zi, Filip Vujanoviç u pajtuan për shqyrtimin e gabimeve të mundshme në marrëveshje, duke rihapur diskutimet për ratifikimin e mundshëm të saj nga parlamenti i Kosovës.
Mos ratifikimi i kësaj marrëveshjeje që është kusht për liberalizimin e vizave ka bërë që qytetarët e Kosovës ende të presin në radhë për viza para ambasadave evropiane, ndërsa është edhe një nga kushtet që Kosova duhet përmbushë drejt rrugës së saj drejt integrimeve evropiane.
Facebook Forum